“Më testoni, i kemi votat…”, por nuk ka Qeveri Kurti 3, 56 deputetë votuan për
Për mbi 7 muaj, Albin Kurti, deputetëve që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar u kërkoi që ta testojnë, dhe sot ishte dita e shumë pritur për këtë. Seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e kësaj partie i solli të fundit në Kuvend. Karrigia që qëndroi më së gjati bosh ishte ulësja […]
Për mbi 7 muaj, Albin Kurti, deputetëve që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar u kërkoi që ta testojnë, dhe sot ishte dita e shumë pritur për këtë.
Seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e kësaj partie i solli të fundit në Kuvend.
Karrigia që qëndroi më së gjati bosh ishte ulësja e kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti.
Mungesa e njeriut që po e kërkon besimin për Qeverinë Kurti 3, e bllokoi fillimin e seancës, fiks një orë e 11 minuta.
Ky një orësh u përcoll me shumë biseda, me dalje për kafe e cigare në ballkonet dhe bufenë e Kuvendit, qëndrim në telefon, analizim të doracakut që e shpjegon votimin i cili do të zhvillohej në mënyrë elektronike.
Gjatë kësaj periudhe më së shumti vëmendje mori mungesa e Fatmir Limajt, kryetarit të Nismas Socialdemokrate, që mungoi në sallë pikërisht në kohën e njëjtë me Kurtin.
Limaj u pyet se a kishte takuar Kurtin për të negociuar, por as nuk e ka konfirmoi e as nuk e ka mohoi këtë.
Pa asnjë marrëveshje politike për sfidën që e priste, më në fund Kurti iu bashkua deputetëve.
Nga 34 minuta e 30 sekonda fjalim në ekspoze, mbi 10 minuta e gjysmë, ose mbi 30.4% të fjalimit, Kurti ia kushtoi qeverisjes së kaluar.
“Në këto 6 muaj përpjekje për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disa hershme e shterruese. Asnjëra nga partië parlamentare iu bëmë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës”, ka deklaruar Albin Kurti – I mandatuar për kryeministër.
Shpjegimin e pasojave që mund t’i sjellë mungesa e ekzekutivit, duke kërkuar mbështetje por pa marrëveshje politike, Kurti e vazhdoi me pesë premtime.
“Miratimi i projektligjit për buxhetin 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 eurosh, që prek rreth 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen për shtesa për fëmijë për 50% mbi nivelin aktual që prej rreth 400 mijë fëmijë, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prej një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, dhe miratimi i ndryshimit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së.”Ndonëse debati ishte i lejuar, folësit në emër të partive të ish-bllokut opozitar, zgjodhën që të flasin shkurt, dhe ta bëjnë me dije se nuk kanë votë për”, ka deklaruar Albin Kurti – I mandatuar për kryeministër.
“Koha e fjalëve ka marr fund, koha është që ta verifikoni atë që keni thënë gjatë gjithë kohës që keni arritur shumicën parlamentare. Ka mbi 8 muaj që të kemi dëgjuar z. Kurti se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e themelimi i Qeverisë është e jotja është detyrë e juaja ta dëshmoni këtë përgjegjësi”, ka deklaruar Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
“Mungesa e dinjiteti politik pra pranimit të aktit të vetëm logjik se nuk kam numra nuk është fundi i botës, për 8 muaj e ka mbajtur Kosovën të bllokuar me arsyetime të ndryshme me një Qeveri që se kanë me numra e mbështetje as sot”, ka deklaruar Dek – Lumir Abdixhiku – Kryetar i LDK-së.
“Ti je produkt i luftës hibride të armiqve tonë pra ty të kanë kriju ti e ke ushqy këtë luftë hibride në këtë vend, në vazhdimësi ti ke punu sistematikisht me e diskreditu çdo vlerë të këtij vendi disa prej të cilëve i vuajnë pasojat e drejtësisë ndërkombëtare e disa më herët dhe si i tillë një ditë po është e vërtetë lufta hibride e ha atë i cili e ka ushqy atë luftë e tash besoj se të ka ardhe radha edhe ty të uroj sukses”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së.
Kundër ishin edhe deputetët e Listës Serbe, si dhe deputetët Adem Hoxha e Duda Balje që nuk ishte fare në seancë.
Veton Berisha që tha se e takoi dje kryetarin e VV-së abstenoi ashtu sikurse deputetët e NISMA-s dhe kështu Albin Kurti dështoi të siguronte 61 vota.
“Konstatoj se me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Dimal Basha – Kryetar i Kuvendit.
110 deputetët e pranishëm në sallë, kryeparlamentari Dimal Basha i përshëndeti dhe i ftoi të shpërndahen me porosinë se tash përgjegjësia i takon Presidentes e cila brenda 10 ditëve mund ta mandatoj të propozuarin e radhës për kryeministër.















