Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 tetor të vitit 2022, ka lëshuar një komunikatë për opinionin publik, ku ka treguar se e ka arrestuar një person për krime lufte.

Arrestimi i të dyshuarit me inicialet E.B, i nacionalitetit boshnjak, sipas Prokurorisë Speciale ishte bërë në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri E.B., dyshohet se gjatë viteve 1998 – 1999, ka qenë me detyrë polic në stacionin policor të fshatit Gjurakoc të Komunës së Istogut, si dhe, ka qenë  pjesëmarrës në kryerjen e masakrës së Staradranës, ku kanë mbetur të vrarë tetëmbëdhjetë (18) persona”, ka njoftuar Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.

“Me këto veprime i pandehuri E.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Krim i Luftës kundër popullatës civile, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së”, ka shtuar ai.

Sipas komunikatës, bëhet e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri E.B., është ndaluar në periudhë kohore prej 48 orësh, në pritje të dërgimit te Gjyqtari i Procedurës Paraprake brenda afatit Ligjor.