Kuvendi i Kosovës të enjten ka emëruar Lumnije Zekën, ish-bashkëshorten e Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe Gëzim Tosunin, që raportohet të jetë nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it.

Mandati i tyre është 4-vjeçar.

Po ashtu, në këtë bord është emëruar edhe Rejhane Zylfiaj.

Tosuni mori 58 vota, ndërsa Zeka 55. Pasi Tosuni kishte më shumë vota, ai u zgjodh Kryesues i Bordit të Drejtorëve.

“Pra, drejtorë të Bordit të KOSTT zgjedhen Rejhane Zylfiaj, Gëzim Tosuni dhe Lumnije Zeka”, ka deklaruar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Opozita nuk ishte në sallë gjatë votimit të propozimeve.

Nga Paneli Përzgjedhës, Lumnije Zeka renditej e pesta me 33 poena, ndërsa Gëzim Tosuni ishte i dyti me 43 poena.

Deputeti Pal Lekaj e ka konfirmuar për Gazetën Express se Lumnije Zeka është bashkëshortja e Ministrit Aliu, ndërsa Gëzim Tosuni është familjar i zëvendëskryeministrit Bislimi, informacion që e konfirmoi edhe deputeti Ferat Shala.

Pjesë e Panelit Përzgjedhës ishin edhe Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me katër deputetë të tjerë të VV-së: Gramos Agusholli, Jeta Statovci, Armend Muja dhe Driton Hyseni, si dhe deputetët Ferat Shala, Pal Lekaj, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Fidan Jillta.