Mediat në Mal të Zi raportojnë se shërbimet franceze të inteligjencës kanë paralajmëruar autoritetet malazeze për një fluturim çarter nga Beogradi drejt Tivatit, me pasagjerë që dyshohet se kishin lidhje me qarqe kriminale dhe me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas portalit malazez Antena M, informacioni i parë për fluturimin është identifikuar nga kompania franceze VINCI, e cila menaxhon Aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd. Përmes oficerit të saj ndërlidhës, të dhënat janë përcjellë tek shërbimi francez i inteligjencës së jashtme, DGSE (Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Jashtme), i cili më pas ka njoftuar strukturat e sigurisë në Mal të Zi.
Raportohet se alarmi është dhënë në prag të samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tivat, ku mori pjesë edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Edhe pse autoritetet franceze nuk kanë komentuar zyrtarisht këto pretendime, përfshirja e mundshme e DGSE-së është interpretuar si tregues i seriozitetit të vlerësimeve të sigurisë.
DGSE konsiderohet si shërbimi kryesor francez i inteligjencës së jashtme dhe shpesh krahasohet me CIA-n amerikane apo MI6 britanike. Institucioni merret me mbledhjen e informacionit jashtë territorit francez, kundërzbulimin, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e interesave strategjike të Francës në nivel global.
Sipas raportimeve, kompania VINCI ka identifikuar fluturimin e dyshimtë dhe ka aktivizuar mekanizmat e bashkëpunimit me DGSE-në, e cila më pas ka ndarë informacionin me partnerët malazezë. Një praktikë e tillë konsiderohet e zakonshme në rastet kur ekzistojnë rreziqe potenciale për sigurinë e zyrtarëve të lartë ose të ngjarjeve ndërkombëtare.
Pas marrjes së paralajmërimit, Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare kanë shtuar masat e kontrollit në Aeroportin e Tivatit. Mediat lokale raportojnë se nga 87 shtetas serbë që mbërritën me fluturimin çarter, disa persona të konsideruar me interes për sigurinë janë penguar të hyjnë në territorin malazez.
Megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar se aksioni është iniciuar drejtpërdrejt nga DGSE, prania e presidentit Macron dhe e zyrtarëve të tjerë të lartë evropianë në samit e bën të besueshme përfshirjen e shërbimeve franceze në procesin e vlerësimit dhe menaxhimit të rreziqeve të sigurisë.