Mediat në Serbi censurojnë fjalimin e Kurtit, ndalën transmetimin direkt
Në mediat serbe transmetimi nuk ka vazhduar drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS), transmetimi është ndërprerë sapo fjalën e ka kryeministri Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe. Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi ka reaguar duke thënë se Aleksandër […]
Në mediat serbe transmetimi nuk ka vazhduar drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS), transmetimi është ndërprerë sapo fjalën e ka kryeministri Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe.
Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi ka reaguar duke thënë se Aleksandër Vuçiq është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë.
“Në Serbi e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, ka shkruar ai.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten është diskutuar për Kosovën me kërkesën e Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Diskutimi është transmetuar drejtpërdrejt, ndërkohë që Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri Albin Kurti e Serbinë presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq.
Kryeministri Kurti mbrojti vendimin e BQK-së, që parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa – duke ndaluar përdorimin e dinarit. Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.















