Mediumi A2: Plan për vrasjen e Albin Kurtit, i dyshuari ekspert në përdorimin e snajperit

Mediumi A2 ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës dhe disa figura të tjera në Kosovë ishin në plan të vriteshin nga disa vrasës profesionistë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Mediumi shqiptar A2news, ka raportuar se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Sipas këtij mediumi, kjo është bërë e ditur nga një dokument i cili është bërë publik të hënën nga disa hakerë, të cilët dyshohet se këto dokumente i kanë marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

“Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën, kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë, nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano”, raporton A2news.

“Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit, dhe ndaj Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet”, thuhet në raportimin e A2news.

I dyshuari, sipas A2 news, është Prek Kodra, i cili sipas raportimit të këtij mediumi, ka aftësi të mirë në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje të tjera në Kosovë e Mal të Zi.

“I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës”, thuhet në postimin e A2news.

Sipas Policisë Shqiptare, ky person është me precedent penal dhe është hetuar për vrasje me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjahut. Ai u shpall në kërkim në vitin 2016, ndërsa pas kontrolleve në banesë iu gjetën dy armë gjahu dhe 90 fishekë. Në shtator të vitit të kaluar u pezullua urdhri i kërkimit, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, raporton A2.

Sipas informacioneve të mediumit A2, fillimisht ishte planifikuar vrasja e Ismet Haxhës, pas një muaji, ishte planifikuar të vritej edhe Xhavit Haliti, dhe pastaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm”, raporton A2.





Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika