Mediumi serb: Vuçiq po cenon sovranitetin e shteteve fqinje dhe po kthehet në faktor destabilizues të Ballkanit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po kontribuon në destabilizimin e rajonit, pasi vizita e tij në Bosnje e Hercegovinë u shoqërua me një incident të sigurisë, vetëm dy muaj pas skandalit në Mal të Zi. Kështu shkruan portali serb Nova.rs.

Sipas raportimit, banorët e zonës së Bugojnos raportuan se një grup burrash të armatosur, disa prej tyre duke lëvizur me motoçikleta katërrrotëshe (ATV), po patrullonin në zonë duke u prezantuar si pjesë e sigurimit të presidentit serb.

Pas verifikimeve, autoritetet e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë konstatuan se ata nuk ishin pjesë e ekipit zyrtar të sigurimit të Vuçiqit.

Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, deklaroi se personat në fjalë u larguan me shpejtësi sapo u lokalizuan nga njësitë speciale të policisë së Kantonit të Bosnjës Qendrore.

Ai theksoi se askush, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, nuk ka të drejtë të sjellë në Bosnje e Hercegovinë grupe të armatosura të paparaqitura dhe të anashkalojë procedurat që vlejnë për sigurimin e zyrtarëve të huaj.

Vizitat e Vuçiqit “shoqërohen me tensione”

Helez tha se kontroversat e tilla nuk janë më befasi.

“Për Aleksandar Vuçiqin, këto situata fatkeqësisht nuk janë asgjë e re. Vizitat e tij në rajon shpesh shoqërohen me tensione politike dhe veprime që ngrenë pikëpyetje për respektimin e institucioneve dhe procedurave të shteteve nikoqire”, deklaroi ai.

Pas “desantit në Tivat”, incidenti në Bugojno

Nova.rs kujton se ky incident vjen vetëm dy muaj pas asaj që mediat e quajtën “desanti i përkrahësve të SNS-së në Tivat”, kur më shumë se 80 shtetas të Serbisë, mbështetës të Vuçiqit, u kthyen nga autoritetet malazeze në aeroportin e Tivatit, pasi u vlerësuan si rrezik për sigurinë.

Në atë kohë, Vuçiq kishte deklaruar se bëhej fjalë për mbështetës të tij që kishin udhëtuar pa dijeninë e tij për t’i dhënë përkrahje gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi.

Për incidentin më të fundit pranë Bugojnos, presidenti serb ende nuk ka dhënë shpjegim.

Diplomati serb: Çdo vizitë e Vuçiqit te fqinjët po kthehet në incident ndërkombëtar

Portali serb citon edhe diplomatin Sreçko Gjukiq, i cili vlerëson se pothuajse çdo vizitë e Vuçiqit në vendet fqinje po shndërrohet në një skandal politik dhe problem sigurie.

Sipas tij, presidenti serb përpiqet që çdo paraqitje në zonat ku jetojnë serbë jashtë Serbisë ta përdorë për të treguar se ai është lideri i tyre politik dhe se mund të flasë në emër të tyre.

Gjukiq paralajmëron se një politikë e tillë nuk i sjell dobi as Serbisë dhe as serbëve që jetojnë në shtetet fqinje.

“Vuçiq po cenon sovranitetin e shteteve fqinje”

Diplomati serb kritikon ashpër idenë e promovuar nga pushteti në Beograd se “tokat serbe janë aty ku jetojnë serbët”, duke e cilësuar këtë një interpretim të gabuar të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve fqinje.

Ai shton se autoritetet serbe nuk do të guxonin të silleshin në të njëjtën mënyrë në vende si Britania e Madhe, Gjermania apo Austria, ku gjithashtu jeton një numër i madh serbësh.

“Është një sjellje arrogante e udhëheqjes shtetërore, që përbën një problem serioz politik dhe të sigurisë”, tha Gjukiq.

Në fund, ai vlerëson se me politikën që po ndjek presidenti Aleksandar Vuçiq, Serbia po pozicionohet si një faktor destabilizues me karakter rajonal, duke krijuar tensione me vendet fqinje dhe duke dëmtuar marrëdhëniet në Ballkan.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika