Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka cilësuar të domosdoshëm integrimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Sipas Mehaj, Serbia operon me idenë se “sa më shumë territor, aq më shumë e mbrojtur do të jetë”. Duke u bazuar në këtë ideologji, ai ka theksuar se integrimi i Kosovës është i domosdoshëm, dhe se aktualisht, Kosova është e interesuar që në një afat rekord të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe.

Një antarësim i saj është më se i domosdoshëm të ndodhë sa më shpejtë, duke marrë parasysh edhe situatën e brishtë të sigurisë në botë, si pasojë e luftës në mes të Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të shohin ndryshimet pozitive në Kosovë.

“Kosova është e fokusuar në integrimin në NATO sa më shpejt, situata ka ndryshuar gjeopolitikisht, jo vetëm në rajon, por në mbarë botën, është shumë me rëndësi që edhe këto katër shtete mosnjohëse të NATO-s, ta mbështesin Kosovën në Partneritet për Paqe, pastaj në anëtarësimin e plotë në NATO”, thotë ai.

Gjersa e ka cilësuar situatën e sigurisë në vend sikurse “ të qetë”, ministri Mehaj thotë se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë në vend, dhe se Kosova ndan vlerat e veta demokratike me të gjitha vendet perëndimore.

“Në përgjithësi situata në Kosovë është e qetë, jemi në bashkëpunim me të gjitha agjencitë e sigurisë së Kosovës, por edhe me KFOR-in… Kosova jo vetëm që i ndan vlerat e veta demokratike sikur aleatët tanë, partnerët në NATO, por anën tjetër shihet Serbia, fqinjët tanë, si nuk i përcjellin normat ndërkombëtare, por është e bashkëngjitur bashkë me Rusinë. Nuk i ndanë të njëjtat vlera demokratike sikur shtetet e Evropës dhe NATO-s… Si partnerët tanë, edhe shtetet të cilat na kanë mbështetur të jetë Kosova në këtë ditë sot, t’i ngritë Kosova kapacitetet e sigurisë, me të vërtetë të integrohet në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO sa më shpejt që është e mundshme, jo vetëm si Serbia që ka tensione në stabilizim, sepse ata operojnë sikur rusët, më shumë territor, aq me lehtë ta mbrojnë vetën, ashtu mendojnë madhësinë e vet”, thotë Mehaj për KP.

Krahas kësaj, Ministri Mehaj ka potencuar interesat qëllimkëqija të Serbisë në Kosovë.

“Serbia kurrë si ka qëllimet e mira për Kosovën në asnjë aspekt, ne shpresojmë se një ditë ata kthehen për të mbarë e të mirë, por pjesa e dialogut e bën të vetën”, thotë ai.

Ndër të tjera, ai ka apeluar të rinjtë që të aplikojnë në rekrutimin e radhës në FSK, derisa bën të ditur se kriteri për moshën ka ndryshuar nga 23 vjeç sa ishte, në 25 vjet.