Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në Bruksel është takuar me këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Gjenerallejtnantin Lance Landrum.

“Me Gjenerallejtnantin Landrum, si anëtari i dytë më i lartë i Komitetit Ushtarak të NATO-s, diskutuam rreth zhvillimeve në sektorin e sigurisë, situatës aktuale gjeopolitike, rolit të KFOR-it dhe trupës këshilluese të NATO-s në Kosovë, si dy organe bashkëpunuese në misionin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”, ka theksuar Mehaj.

Më tej Mehaj ka njoftuar se Gjenerallejtnantit të NATO-së i ka ofruar gatishmërinë që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë së në misione ndërkombëtare të NATO-së.

“Para gjenerallejtnantit sërish theksova gatishmërinë që Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh për të qenë pjesë aktive e misioneve të NATO-së me të gjitha kapacitetet tona profesionale të cilat i kemi zhvilluar ndër vite, e po ashtu shpreha mirënjohjen për trupat e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i rëndësishëm në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave demokratike”, ka përfunduar Mehaj.