Mehmetaj kritikon PDK-në për procedurën e ndjekur për Ligjin për Specialen

Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar mënyrën se si janë proceduar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se është anashkaluar një kriter kushtetues dhe se kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me mungesë të njohurive juridike.

Në përballje në Debat Plus me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, Mehmetaj ka thënë se, sipas tij, gabimet procedurale gjatë miratimit të ndryshimeve ligjore janë të vështira për t’u konsideruar të paqëllimshme.

“Për mua është e pamundur me gabu procedurën. Në procedurë e sipër këta e kanë anashkaluar një kriter kushtetues. Qysh është konsultimi i ligjit, mos me të ra ndërmend?”, ka deklaruar Mehmetaj.

Ai ka ngritur dyshime se vendimi i PDK-së për të propozuar ndryshimet mund të jetë ndikuar nga kalkulimet politike dhe dëshira për të shmangur zgjedhjet.

“Në kuptim procedural këta e kanë gabu. për mua kjo është e pamundur që kjo ka qenë veç mungesë e dijes, e jo dashakeqësi. qe tregoj ccka është. Me shumë gjasë PDK nuk ka dashtë me shku në zgjedhje, këta i dinë arsyet. tash kqyre çka ka ndodh? Albin Kurti iu ka thënë këtyre s’po du me pa këtë protestë. dhe rrjedhimisht këta na e kanë shitur një ligj, që ka me ra edhe për procedurë”, ka thënë ai.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u propozuan nga PDK-ja pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshimet synojnë kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara përmes ngushtimit të periudhës kohore dhe kategorive të veprave penale që mund të trajtohen. Ato parashohin, ndër të tjera, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Të fundit nga rubrika