Analisti politik Lirim Mehmetaj ka kritikuar ashpër opozitën në Kosovë, duke thënë se ajo po refuzon të ushtrojë rolin e saj bazik ndaj pushtetit.
Duke folur në Debat Plus, Mehmetaj tha se problemi kryesor i opozitës është mungesa e veprimit të mirëfilltë opozitar dhe e argumentimit politik ndaj çështjeve të rëndësishme.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm ndërmarrja e ndonjë veprimi simbolik nga partitë opozitare, por është thelbësore mbulimi i këtyre veprimeve me argumente politike, pasi pikërisht aty formohet edhe perceptimi i opinionit publik.
Mehmetaj theksoi se opozita ka ndërmarrë veprime pa dhënë shpjegime të qarta dhe pa ndier nevojën për t’i arsyetuar ato para qytetarëve.
“Nuk është ideja veç te veprimi opozitar për shembull edhe bëhet një veprim i caktuar prej cilës do parti opozitare por është shumë më e rëndësishëm po del të jetë mbulesa që i bën atij veprimi me argumentin politik sepse ajo mandej është në fakt çfarë mendon publiku për veprimin. Kanë ndërmarrë veprime që nuk kanë pasur shpjegim edhe nuk është ndierë ndonjë nevojë për me pasur shpjegim”, ka theksuar ai.
Ai kritikoi edhe mungesën e reagimit të opozitës ndaj rasteve të keqpërdorimit të pushtetit, përfshirë emërimet partiake, duke thënë se edhe kur gazetarët publikojnë skandale, nuk vërehet revoltë nga ta.
“Ngritet pyetja pse opozita nuk reagon. Një pjesë e saj nuk e sheh këtë si gabim të madh, sepse të njëjtat praktika i ka ndjekur edhe vetë në të kaluarën”, ka deklaruar Mehmetaj.