Mehmetaj: Osmani ka vendosur t’i nënshtrohet Kurtit, për të qëndruar në pushtet
Presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë pasur një “tension” gjatë diskutimit të tyre në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Lidhur me këtë, Lirim Mehmetaj, analist politik, ka theksuar se rivaliteti në mes tyre ka qenë evident që në garën për kryeministër në vitin 2019, ku edhe pse Kurti […]
Presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë pasur një “tension” gjatë diskutimit të tyre në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.
Lidhur me këtë, Lirim Mehmetaj, analist politik, ka theksuar se rivaliteti në mes tyre ka qenë evident që në garën për kryeministër në vitin 2019, ku edhe pse Kurti fitoi, Osmani mbeti një konkurrente e fortë.
Sipas Mehmetajt, Osmani ka pasur dy rrugë për të vazhduar karrierën politike: të mbetet në opozitë ose të pranojë një pozicion faktik në politikë.
Megjithatë, sipas tij, ajo ka zgjedhur rrugën e dytë duke “iu nënshtruar Kurtit”.
Lexo edhe: Zëdhënësi i Qeverisë sqaron “tensionin” në mes të Kurtit e Osmanit
“Në vitin 2019 kanë garuar dy njerëz për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, edhe me një numër tepër të vogël të votave ka fituar Albin Kurti. Këto kanë treguar se janë dy konkurrentë pothuajse të barabartë. Aty Vjosa Osmani i ka pasur dy rrugë, me qëndru në opozitë edhe me i bërë opozitë Kurtit edhe me marrë pozicion faktik në politikë, ose me iu nënshtru qysh është nënshtruar më pas, pra kjo ka vendosë për këtë të dytën”, ka deklaruar ai në “Debat Plus”.
Ai ka shtuar se aktualisht ata janë në një bashkëpunim të tensionuar, ku valuta kryesore është “mashtrimi”.
Mehmetaj ka shprehur bindjen se për të mbajtur pushtetin, presidentja Osmani duhet të vazhdojë të “mashtrojë për kryeministrin Kurti”, ndërsa Kurti e mban në pushtet duke përfituar nga kjo situatë.
“Për me pasë tension real, duhet me pasë, të themi, fuqi reale të dyanshme… Këta tash janë në një bashkëpunim, ku valuta e raportit është mashtrimi. Vjosa Osmani, për më qëndru në pushtet, duhet me mashtru për Kurtin, e Kurti e mban në pushtet. sepse i vyen për të mashtruar për të”, ka deklaruar Mehmetaj.















