Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar, për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës e në veçanti BQK-së.

Mehmeti bëri të ditur se gjatë takimeve me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka informur lidhur me zhvillimet dhe të dhënat e fundit të sistemit financiar në Kosovë.

Gurvenatori Mehmeti, ka theksuar se “Sistemi financiar në Kosovë ka vazhduar të jetë Likuid dhe mirë i kapitalizuar ku ne te gjithë indikatorët  ka shënuar rritje dyshifrore duke qenë një nga faktorët e rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.

“Gjithsej mjetet e sistemit financiar në vend, me 31 gusht 2022, kanë arritur vlerën e përgjithshme prej 9.3 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 10 për qind. Ndërsa mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2022, duke arritur vlerën rreth 6.4 miliardë euro në muajin gusht 2022, e cila paraqet një rritje vjetore prej 11.1 për qind”, ka thënë Mehmeti.

Sektori bankar sipas Mehmetit vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe se është rritur aktiviteti aktiviteti kredhidhënës.

“Sektori bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm duke rritur aktivitetin kredidhënës dhe duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kreditimin e ekonomisë së vendit edhe gjatë këtij viti. Vlera e portofolit kreditor të sektorit bankar në fund të gushtit 2022 ishte në shumë prej 4.2 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 18.6 për qind, derisa norma mesatare e interesit për kredi ishte 6.0 për qind”, thuhet në njoftim.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës  sipas Mehmetit është e sigurt që do të vazhdoj të ketë edhe më tutje përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm me FMN-së.