Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se u ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, t’i zbatojnë marrëveshjet e dakorduara.

“Do të shohim se si do të shkojë dita dhe shpresojmë të bëjmë ndonjë hap përpara”, ka thënë kryeministrja italiane, raporton REL.

Ajo ka takuar Kurtin e Vuçiqin në takime të ndara të enjten në Bruksel, ndërsa liderët u pritën edhe nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Kurti dhe Vuçiq përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

As Kurti e as Vuçiq nuk dhanë ndonjë deklaratë para gazetarëve.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kryeministri Kurti e ka pranuar propozimin e BE-së për Asociacionin.

Rama, në rrjetin social “X”, ka thënë se kjo është një pikë kyce për negociatat që do të vijojnë. Tutje, Rama tha se liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe ta zbatojnë Marrëveshjen bazë për normalizim.