Tri ditë pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Memli Krasniqi dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike e Kosovës.
Teksa foli për guxim dhe hapësirë për ndryshim, Krasniqi theksoi nevojën për një momentum të ri para zgjedhjeve që pritet të mbahen në Dhjetor – ku, sipas tij, kryetari i partisë duhet jetë edhe kandidat për kryeministër.
“Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për të qenë kryeministër i vendit, në zgjedhjet e ardhshme unë besoj që kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë. Andaj këtë vendim e kam marrë me bindjen si vendimin e duhur dhe në asnjë mënyrë se jam lodhur ose se jam zhgënjyer, por sepse dua që partia jonë të marrë frymën e re që e meriton. Këtë, të jeni të sigurt të gjithë, e bëj me paqe në shpirt dhe dashuri në zemër. Në dashuri për PDK-në dhe në dashur për Kosovën”, ka deklaruar Memli Krasniqi, Kryetar i dorëhequr i PDK-së.
Pasi tha se mbetet pjesë e partisë, Krasniqi theksoi se PDK-ja është më e madhe se të gjithë dhe bëri thirrje për bashkim e vizion të qartë për të ardhmen.
Derisa zhvillimet në Drenas i quajti “vetëm një fusnotë” në çështjet e adresuara, ai tha se dorëheqja ishte “planifikim më i gjatë”.
Ndërsa, shprehu preferencën e tij për kryetarin e ri të PDK-së.
“Unë jam i bindur që kandidati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza, sepse jam po ashtu i bindur se mund të jetë kryeministri më i mirë që mund të ketë Kosova sot. Dhe, normalisht, nëse miku im Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ai e ka mbështetjen time të plotë, sepse besoj në lidershipin e tij dhe besoj që është figura që mund t’i prijë Partisë Demokratike në fazën e ardhshme”, ka theksuar Krasniqi.
Krasniqi tha se nuk është konsultuar me ish-krerët e partisë në Hagë, por u shpreh se nuk pret që ata të befasohen.
Memli Krasniqi kishte marrë drejtimin e Partisë Demokratike më 3 Korrik 2021.
Nga Nëntori 2020, pas dorëheqjes së Kadri Veselit për të shkuar në Hagë, detyrën e kryetarit, për nëntë muaj, e kishte ushtruar Enver Hoxhaj.
Konventa e jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike do të mbahet të hënën e 17 Nëntorit.