Memli Krasniqi e quan të paaftë qeverisjen njëvjeçare të Albin Kurtit

Të paaftë e ka quajtur lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, qeverisjen njëvjeçare të Kryeministrit Albin Kurti.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se disa nga arsyet për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e kaluara qendrore ishin, qëndrimi i gjatë në pozitë nga partitë tradicionale, si dhe siç ka thënë, kritikat e LVV-së, që, sipas tij, kanë prodhuar atmosferë të zymtë në Kosovë.

“Ata bënë një diskurs propagandistik se, VV-ja kishte mbetur e vetmja alternativë për popullin, gjë që prodhoi edhe rezultatin e 14 shkurtit të vitit 2021”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.

Sipas Krasniqit, asnjë investues serioz nuk ka ardhur në Kosovë, gjatë një viti qeverisjeje nga LVV-ja dhe Lista Guxo.

“Si rezultat i kësaj paaftësie, Kosova, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, është shprehur Krasniqi.

Po ashtu, kryetari i PDK-së, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë planprogrami. Programin e paraqitur nga ta, Krasniqi e ka quajtur lojë fjalësh, dhe “aspak pragmatik për qytetarët e Kosovës”.

“Programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por, program të qëndrueshëm që vendos hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, ka thënë ai.

Krasniqi, i ka quajtur të frikshme statistikat për qytetarët të cilët janë të gatshëm ta lëshojnë vendin. Ai ka thënë se për një muaj, ishin rreth 100 mijë persona nga Kosova që kanë pritur vizën për të dalë jashtë vendit.

Ai ka përmendur edhe mungesën e njohjes së shtetësisë së Kosovës, duke thënë se “një vit i plotë ka kaluar, pa ndërmarrë asnjë hap, vendim, veprim e as lobim, qoftë për njohje të reja apo për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here