Memli Krasniqi në Forumin Diplomatik të Antalisë takon Mehmet Kemal Bozay
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalisë, para hapjes zyrtare nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka takuar zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay. Zhvillimet në Kosovë, rajon dhe Evropë, ishin tema të diskutimit të përbashkët, për të cilat shkëmbyen pikëpamjet […]
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalisë, para hapjes zyrtare nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka takuar zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.
Zhvillimet në Kosovë, rajon dhe Evropë, ishin tema të diskutimit të përbashkët, për të cilat shkëmbyen pikëpamjet e tyre.
“Zëvendësministrin Kemal Bozay e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në të gjithë sektorët dhe në të gjitha etapat e shtetndërtimit të vendit tonë – përfshirë kontributin e çmuar në fushën e sigurisë, tashmë edhe përmes udhëheqjes së misionit të KFOR-it”, ka shkruar Krasniqi.
Lideri i opozitës ka thënë se Kosova ka nevojë edhe për përkrahjen e Turqisë te shtetet e ndryshme, për t’i bindur që të njohin Kosovën, por edhe në forumet ndërkombëtare, për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës, posaçërisht në NATO dhe në Këshillin e Evropës.
“Zëvendësministrin Mehmet Kemal Bozay e sigurova që, përtej veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë, populli i Kosovës dhe ne mbesim të përkushtuar për të ruajtur dhe kultivuar edhe më tutje aleancat tona më të fuqishme, përfshirë atë me Turqinë”, ka përfunduar ai.















