Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot(e enjte) në takim Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian dhe Shefe e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) në Kosovë.

Takimi u përqendrua në angazhimin e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e proceseve demokratike të vendit.

Kryeu i PDK-së ka shprehu mirënjohjen e tij për Loiseau dhe EU EOM për rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen e sistemit zgjedhor të Kosovës.

Krasniqi theksoi rëndësinë e misioneve të mëparshme të BE-së në mbështetjen e reformave zgjedhore, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e besimit publik në procesin zgjedhor.

“Kosova është krenare për traditën e saj të organizimit të zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente,” tha Krasniqi.

“Respektimi i vazhdueshëm i rezultateve zgjedhore reflekton pjekurinë dhe vlerat tona demokratike”, është shprehur ai.

Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përbën një moment historik në reformat zgjedhore të Kosovës. Kryetari Krasniqi theksoi se monitorimi dhe rekomandimet e misionit do të jenë thelbësore për vlerësimin e ndikimit të këtij ligji, identifikimin e përparësive dhe adresimin e çdo mangësie të mundshme.

Krasniqi ka siguruar Loiseau për bashkëpunim të plotë me EU EOM për të garantuar suksesin e misionit.

Në takim gjithashtu është diskutuar tema si përfaqësimi i grave në proceset politike, lufta kundër gjuhës së urrejtjes dhe sfidat e shkaktuara nga lajmet e rreme. Krasniqi rikonfirmoi përkushtimin e PDK-së për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe për të luftuar dezinformimin, duke siguruar një ambient zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm.

Loiseau ka vlerësuar progresin e Kosovës dhe rikonfirmoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur rrugëtimin demokratik të vendit.

Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe BE-së për forcimin e demokracisë dhe sigurimin e zgjedhjeve transparente që reflektojnë vullnetin e qytetarëve.