Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça Sh.A, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Trepcës, i cili gjatë ditës kishte thënë se menaxhmenti kishte reaguar keq për situatën dhe gjendjen e minatorëve grevistë.

Sipas njoftimit, deklaratat e Januzit janë shpifje, dhe si të tilla nuk qëndrojnë.

“Menaxhmenti dhe Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A. janë shumë të shqetësuar për situatën e krijuar në minierën e Stantergut, për sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve, andaj është duke punuar gjatë gjithë kohës për tejkalimin sa më të lehtë të kësaj situate”, thuhet në njoftim.

Tutje, në reagimin e tyre thuhet se greva e urisë nga minatorët duhet të ndërpritet, sepse sipas tyre, nuk është ligjore.

“Ne konsiderojmë se kjo grevë duhet të ndërpritet menjëherë për shkak se një grevë e tillë nuk është ligjore, sepse nuk është paralajmëruar sipas ligjit LIGJI Nr. 03/L-200 për greva, dhe konsiderojmë se nuk ka arsye reale për të rrezikuar me shume sigurinë, shëndetin dhe jetën e minatorëve”, thuhet në njoftim.

Tutje, në reagim thuhet se “për herë të parë pas dy dekadave, minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A. u janë rritur pagat mbi nivelin e pagave të minatorëve të minierave në rajon (Shqipëri, Maqedonia e Veriut)”.

“Po ashtu është ngritur edhe shtesa për shujtën ditore për çdo minator në ndërmarrjen Trepça Sh.A. Këtë menaxhmenti e ka bërë vetëm me qëllim që të vlerësojë dhe motivojë minatorët e ndërmarrjes”, thuhet në njoftim.

Menaxhmenti ka kërkuar nga grevistët të kthehen në punë, dhe siç kanë thënë, të mos ndikohen nga grupet e interesit.