Mes pasigurisë për raportet BE-SHBA, Kallas kërkon qëndrim të fortë karshi Rusisë dhe Kinës

Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Me prioritetet e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara që me gjasë do të ndryshojnë nën administratën e re të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, shefja e re për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian kërkoi që Evropa të jetë kyç në mbrojtjen e Ukrainës dhe në kundërshtimin e Rusisë dhe Kinës.

Gjatë seancës dëgjimore për emërim para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 12 nëntor, Kaja Kallas, tha se “fitorja e Ukrainës është prioritet për të gjithë ne”, teksa u zotua se blloku evropian do të vazhdojë të mbështesë Kievin për aq kohë sa të ketë nevojë.

Gjatë seancës që zgjati tri orë, ajo po ashtu theksoi se Kina “duhet të ndiejë kosto më të lartë” për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë dhe tha se shpreson që Brukseli do të mund të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse në BE, në vlerë prej pothuajse 300 miliardë eurosh, për ta ndihmuar Ukrainën.

Kjo seancë u mbajt në mes të frikës në Evropë se administrata e re e Trumpit do të kërkojë një zgjidhje të shpejtë për luftën në Ukrainë me kushte më të favorshme për Rusinë dhe mes frikës se Uashingtoni do t’i kushtojë më pak vëmendje institucioneve multilaterale sikurse është BE-ja apo edhe NATO-ja.

“Boshti i autokracive”

Në këtë kuptim, paraqitja e saj para eurodeputetëve ishte e rëndësishme për dërgimin e mesazhit tek amerikanët se aleanca transatlantike është më e rëndësishme se kurrë më parë. Ajo tha se SHBA-ja “është aleatja jonë më e madhe dhe do të vazhdojë të jetë”, duke shtuar se nëse Uashingtoni është i shqetësuar për ngjarjet në Detin Jugor të Kinës, “atëherë duhet të jetë i brengosur edhe se si ne duhet të përgjigjemi kundër luftës së Rusisë ndaj Ukrainës”.

Më pas ajo përmendi një mësim të nxjerrë nga e kaluara, kur SHBA-ja u tërhoq nga politikat botërore pas Luftës së Parë Botërore. “Nëse e shikoni historinë, izolacionizmi asnjëherë nuk ka funksionuar mirë për Amerikën”, tha ajo.

Por, çfarë realisht mund të ofrojë Brukseli?

Në këtë drejtim, ishin dy ide të qarta. E para, për të identifikuar dhe kategorizuar një “bosht të autokracive” në të cilin ajo përfshiu Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut, dhe një Kinë “gjithnjë e më tinëzare”.

“Një rival sistematik”

Përfshirja e Kinës, një partnere e madhe tregtare e evropianëve, ishte një pajtim i qartë me kritikët e Pekinit në Uashington. Pekini “tani është më garues dhe një rival sistematik”, tha Kallas, duke shtuar se “varësia jonë nga Kina në sektorë kyçë është cenueshmëri e vërtetë. Na duhet që ta ulim këtë rrezik”.

Pritet që blloku në të ardhmen të shënjestrojë më shumë produktet kineze, pasi më herët gjatë këtij viti ka vendosur tarifa të larta ndaj makinave elektrike. Triku duket se është i qartë: Tregoni që Evropa është serioze sa i përket Kinës, në mënyrë që SHBA-ja të vazhdojë të jetë serioze për Rusinë.

Pika e dytë e mesazhit të Kallasit ishte një ndarje e qartë mes BE-së dhe NATO-s, pasi ish-kryeministrja e Estonisë hodhi poshtë idetë për krijimin e një lloj ushtrie të BE-së, diçka që e duan federalistët e BE-së, të cilët duan prani më të vogël amerikane në kontinent.

“Nuk mendoj se na duhet një fuqi e ndarë ushtarake përveç NATO-s”, tha Kallas, e cila theksoi se “nëse ne krijojmë një strukturë alternative, thjesht do të krijonte konfuzion në rast të ndonjë konflikti”.

Megjithatë, ka frikë se SHBA-ja mund ta heqin dorë nga NATO-ja nëse më shumë aleatë evropianë nuk rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen dhe duke e bërë këtë si çështje me prioritet.

Forcimi i industrisë evropiane të mbrojtjes

Për të adresuar këto shqetësime, Kallas tha se ajo shpejt do të dalë me ide se si të fuqizohet industria evropiane e mbrojtjes.

Megjithatë, ajo dha pak informacione lidhur me mënyrën se si do të trajtonte dy problemet pas kësaj teme: mungesa konkrete e investimeve dhe tendenca e vendeve evropiane për të favorizuar prodhuesit e tyre vendas dhe “kampionët kombëtarë” dhe deri më tani ka pasur pak dëshirë për të krijuar një sektor të mirëfilltë evropian të mbrojtjes.

Ideja e saj se armët e prodhuara në Evropë mund ta shënjestrojnë, pa kufizime, Rusinë mund të mos pëlqehet nga evropianët të cilët janë lodhur nga lufta dhe janë të kujdesshëm ndaj një Rusie të pajisur me armë bërthamore.

Një zgjidhje e mundshme për çështjen e financimit të Kievit në të ardhmen – veçmas nëse SHBA-ja tërheq mbështetjen – mund të përfshijë marrjen e aseteve të ngrira ruse, që gjenden brenda bllokut, dhe përdorimi i tyre për Ukrainën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka përmendur këtë ide gjatë takimit që pati me udhëheqësit evropianë në Budapest javën e kaluar.

Pyetja kryesore është nëse ka dëshirë për një gjë të tillë. Anëtarët e mëdhenj të eurozonës dhe Banka Qendrore Evropiane shqetësohen se në veprim i njëanshëm mund të dobësojë euron, pasi mund të pengojë investimet e huaja në kontinent. Kallas, megjithatë, argumentoi se duhet të jetë Rusia – e jo taksapaguesit evropianë – ajo që duhet të marrë përsipër koston e rindërtimit të Ukrainës.

Ndërtimi i konsensusit evropian?

Kallas po ashtu tha se është e bindur se Evropa do të jetë në tavolinë kur siguria e Evropës të diskutohet, por ukrainasit “duhet të jenë të parët që vendosin”.

Lufta në Ukrainë do të përfundojë, tha ajo, “kur Rusia ta kuptojë se ka bërë gabim dhe nuk mund ta fitojë luftën”, ashtu siç i ndodhi në Afganistan.

Ajo përdori fjalë të mëdha, por pyetja qëndron në atë se a mund t’i jetësojë këto, veçmas pasi ajo duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së për çdo vendim në politikën e jashtme.

Disa shtete, veçmas Hungaria, që janë të prirë për të përfituar favore specifike dypalëshe me Uashingtonin, kjo mund të jetë e vështirë.

Kallas u desh që të pranonte se – edhe për një çështje sikurse zgjatja e sanksioneve ndaj Rusisë përtej periudhës gjashtëmujore – nuk ka unanimitet të nevojshëm në mesin e anëtarëve të BE-së.

E çfarë për pjesën tjetër?

Asgjë fjalë për Gjeorgjinë, as gjatë fjalës së saj hyrëse, e as në pjesën e pyetjeve nga deputetët evropianë, që është një tregues i madh.

Për Bjellorusinë, ajo ofroi një përgjigje standarde rreth nevojës për të punuar me opozitën.

Po për raportet Armeni-Azerbajxhan? Ajo theksoi rëndësinë e punës për një “zgjidhje paqësore” dhe tha se ka nevojë për korridore të transportit dhe bashkëpunim në fushën e energjisë.

Ajo po ashtu pothuajse nuk përmendi fare Ballkanin Perëndimor, rajonin ku ndoshta Brukseli ende ka ndikimin më të madh.

Në fund të seancës asaj iu parashtrua një pyetje se si do t’i qasej rajonit, veçmas Bosnjë e Hercegovinës, dhe ky ishte rasti i vetëm që rajoni u përmend.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetje, ajo nuk ofroi asgjë konkrete për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ajo do ta ndërmjetësojë. Ajo shtoi se Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën ishte “shumë e mirë”, por tha se disa pjesë “po ngecin” pa specifikuar se për cilat pjesë bëhet fjalë. Sa i përket Ballkanit, Kallasi theksoi se zgjerimi i BE-së ka nevojë të jetë “një histori suksesi në pesë vjetët e ardhshëm”.

Kjo ishte vetëm seanca e parë dëgjimore dhe rezultatet do të jenë më të zëshme sesa çdo përgjigje që ajo dha para eurodeputetëve, por çështja kryesore është nëse BE-ja – që lëvizë shumë ngadalë në një botë që ndryshon me shpejtësi – mund të prodhojë ndonjë rezultat për ndonjë çështje./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika