Në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës u vendos se cila skuadër do të bjerë nga liga dhe cila do të luajë në barazh kundër Lirisë. Megjithatë, në dy takimet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça’89 – Prishtina u panë skena që nuk mund t’i shohim shpesh herë.

Shumë minuta shtesë, ndërprerje të vazhdueshme, gol qesharak e shumë gjëra të tjera treguan se futbolli kosovar vazhdon të ketë probleme të shumta.

Skuadra e Ferizajt në një ndeshje që po konsiderohet tejet e dyshimtë ndaj Dukagjinit fitoi me rezultat 2-1. Në këtë takim u dhanë hiç më pak se 17 minuta kohë shtesë.

Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit me anë të Bujar Shabanit, i cili gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 14’të. Me epërsinë e bardhë e kaltërve përfundoi edhe pjesa e parë.

Pjesa e dytë filloi me vonesë, pasi kushtet atmosferike pa mundësuan që ndeshja të niste me kohë.

Sulmuesi i Dukagjinit Oto John ‘shtangu’ publikun ferizajas në minutën e 82’të kur shënoi golin e barazimit.

Por, falë një gabimi të pafalshëm nga portieri mysafir Altik Muhaxhiri, Ferizaj riktheu epërsinë në minutën e 104’të përmes Astrit Fazliut.

Në takimin tjetër, Trepça’89 shënoi fitore me përmbysje ndaj Prishtinës me rezultat 2-1.

Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e bardhë e kaltërve, pas golit në minutën e 39’të nga Leotrim Kryeziu.

Por, mitrovicasit shënuan dy herë në fund përmes Rilind Nimanit (85’) dhe Egzon Fazliut (90+6’). Edhe në këtë ballafaqim u dhanë 9 minuta kohë shtesë.

Kësisoj, Ferizaj përfundoi edicionin 2022/23 në pozitën e tetë me 41 pikë, ku tani do të luajë të dielën e ardhshme ndaj Lirisë në barazh.

Ndërsa, Trepça’89 rikthehet në Ligën e Parë pasi mbylli edicionin në vendin e nëntë me 40 sosh.