Mes polemikave rinisin punimet në “Xhorxh Bush”
Komuna e Prishtinës ka rinisur të hënën punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimeve të mëparshme nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Në hapjen e punimeve ishin të pranishëm kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës. Rama: Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” nuk ndalen, projektin do ta përfundojmë […]
Komuna e Prishtinës ka rinisur të hënën punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimeve të mëparshme nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Në hapjen e punimeve ishin të pranishëm kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Rama: Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” nuk ndalen, projektin do ta përfundojmë
Këto punime, që janë pjesë e një projekti me vlerë 18.4 milionë euro, ishin ndaluar dy herë më parë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, për shkak të mungesës së një leje të plotë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) dhe shqetësimeve se projekti mund të cenojë integritetin e monumenteve ekzistuese, sidomos për shkak të ndërtimit të ndërtesave të reja të parashikuara.
Pavarësisht ndalesave, kryetari Rama deklaroi për Dukagjinin se punimet nuk janë ndalur asnjëherë dhe se ato po zhvillohen brenda kornizës ligjore.
“Punimet realisht s’janë ndalur kurrë…kemi leje nga drejtoria e Urbanizmit, jemi brenda kornizës ligjore dhe s’ka asnjë pengese për t’u zhvilluar projekti Siç e dini ne kemi ngritur kallëzim penal ndaj inspektorit qe ndali punën. inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, s’ka kurrfarë baze ligjore, jashtë ligjit i ka ndalu punët. Ne do vazhdojmë te punojmë deri ne përfundimin e projektit”, ka thënë Rama.
Në këtë situatë ka pasur debat edhe mes kryetarit Rama dhe drejtorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj. Ky i fundit nuk ka pranuar të deklarohet veçmas, por ka konfirmuar se punimet nuk janë ndaluar, pasi në këtë fazë ato po respektojnë perimetrin në raport me objektet e trashëgimisë.
“Jena duke punuar përbrenda kornizës ligjore. Asgjë të jashtëligjshme”, ka thënë kryetari Rama gjatë debatit.
Megjithatë, Hakaj ka kërkuar koordinim të plotë me Komunën për çdo lloj punimi.
“Nëse po punoni jashtë zonës me pas si informatë”, i është përgjigjur Hakaj.















