Mes problemeve e vonesave të KQZ-së, Kurteshi thotë se vullneti i popullit do të mbrohet
Procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka hyrë në fazën e riverifikimit të plotë të votave, pas problemeve teknike që shkaktuan vonesa në shpalljen e rezultateve preliminare, sipas përfaqësuesit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi. Kurteshi ka thënë procesi po zhvillohet në mënyrë transparente dhe publike, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. “Problemet me shpalljen […]
Procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka hyrë në fazën e riverifikimit të plotë të votave, pas problemeve teknike që shkaktuan vonesa në shpalljen e rezultateve preliminare, sipas përfaqësuesit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.
Kurteshi ka thënë procesi po zhvillohet në mënyrë transparente dhe publike, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Problemet me shpalljen e rezultateve preliminare, ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e Kosovës dhe prokuroria.
Më 9 dhe 10 Shkurt, KQZ ka futur të gjitha të dhënat nga formularët e Vendvotimeve në sistem në mënyrë manuale, edhe me gabime e lëshime, qofshin ato ndonjëherë edhe të qëllimshme. Shumica e tyre tanimë janë identifikuar. Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim.
Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura. Tani ka filluar RINUMËRIMI i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Do të RINUMËROHEN të gjitha kutitë nga vendvotimet. ÇDO VOTË DO TË RINUMËROHET PËR SUBJEKTET POLITIKE!
Ky RINUMËRIM, një-për-një i çdo vote, është publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë. Të gjitha gabimet dhe lëshimet mund të identifikohen me lehtësi dhe të eliminohen.
Çdo qytetar e qytetare, çdo votues që identifikon, vëren apo gjen çfarëdo gabimi, lëshim në votat e publikuara, gjen dëshmi konkrete, të drejtohet në KQZ, qoftë në rezultatet preliminare, qoftë edhe pas RINUMËRIMIT, i lutem mirësisht të lajmërohet në KQZ me telefon, email apo personalisht, duke i ofruar dëshmitë konkrete”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.
Për më tepër, pas mbërritjes së votave nga diaspora, do të nisë edhe verifikimi dhe numërimi i tyre, si dhe i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta në QNR.
Në përfundim, Kurteshi ka garantuar se vullneti i popullit do të mbrohet me të gjitha mjetet shtetërore, duke theksuar se procesi zgjedhor mbetet i pandryshueshëm dhe i paprekshëm.
“Në ndërkohë, pas ardhjes së të gjitha votave nga Mërgata, do të fillojë verikimi dhe numërimi i votave nga Mërgata, i votave me Kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, në QNR, në mënyrë publike, transparente nën syrin e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.
Vullneti i Popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit!
NUK KA AS VEND E AS ARSYE PËR SHQETËSIM!”, ka shtuar Kurteshi.















