Mesazhet e ndërkombëtarëve për takimin e 18 gushtit
Agjendë të ngarkuar me takime e telefonata të shumta ka pasur në 24 orëshin e fundit kryeministri Albin Kurti. Diplomatët e QUINT-it në Kosovë të martën shefi i Qeverisë kosovare i priti në zyrë ku sipas njoftimit të shkurtër të qeverisë, tema ishte takimi i 18 gushtit. E në orët mbrëmjes bisedë telefonike kishte me […]
Agjendë të ngarkuar me takime e telefonata të shumta ka pasur në 24 orëshin e fundit kryeministri Albin Kurti.
Diplomatët e QUINT-it në Kosovë të martën shefi i Qeverisë kosovare i priti në zyrë ku sipas njoftimit të shkurtër të qeverisë, tema ishte takimi i 18 gushtit.
E në orët mbrëmjes bisedë telefonike kishte me të deleguarin e Britanisë për Ballkanin Perëndimore, Sir Stuart Peach.
Sipas njofitmit të Ambasadës, Peach ka folur me dy krerët e shteteve dialoguese, të cilëve u ka bërë të qartë se duhet që në Bruksel të vënë në rend të parë qytetarët e tyre.
“Përfaqësuesi Special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka folur dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, duke cekur shqetësimin e Britanisë për rritjen e tensioneve dhe gjuhën e përdorur në ditët e fundit. Liderët tash kanë mundësi dhe përgjegjësi në bisedimet në Bruksel të vënë qytetarët e tyre në rend të parë, të ndërtojnë më tepër në përparimet e bëra në dialog deri më tash dhe të bëjnë hapa më të mëdhenj drejt normalizmit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Dy ditë para takimit të shumëkomentuar me Vuciq, Kurti ka marrë edhe mesazhe edhe nga ShBA, konktretisht nga këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet.
“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit (Derek Chollet), lidhur me shumë çështje, përfshirë dialogun me Serbinë; rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington në muajin e kaluar”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
E krejt këto mesazhe, nga analistët po shihen si përkrahje për reciprocitetin që Kosova do ta zbatoj por jo edhe për mos zbatim të marrëveshjes për asociacionin.
“Qeveria ka marrë dritën e gjelbër se ka të drejtë të respektoj reciprocitetin si e drejtë themelore e secilit shtet. Mirëpo nuk i kanë dhënë dritë të gjelbër që njëjtë të veproj me asociacionin. Mesazhet janë mjaftë të qarta…”, ka deklaruar Ymeri.
Në Bruksel përpos marrëveshjes për të pagjeturit e për targat, sipas Ymerit pritet të flitet edhe për të “Zajednicën sic i referohet VV asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Natyrisht në Bruksel do të flitet për marrëveshjen për të pagjeturit, për targat por une mendoj që aty patjetër do të flitet për asociacionin. Aty po ashtu pritet që të nënshkruet ndonjë marrëveshje që qetëson deklaratat e dy krerëve..”, ka vijuar ai.
Mendim tjetër nga Ymer, ka profesori I shkencve politike, Dritëro Arifi.
Sipas këtij të fundit, e vetmja temë që duhet të diskutohet dhe të jetë e fundit në dialog, është ajo për të pagjeturit.
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuciq të enjtën e 18 gushtit do të kenë takimin e tretë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.















