Mësimdhënësit në Podujevë ndërpresin grevën, të hënën nis procesi mësimor

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, ka njoftuar se nga e hëna do të nisë procesi mësimor në këtë komunë

Ilustrim

Të hënën e pesë shtatorit, nxënësit e komunës së Podujevës do të fillojnë procesin mësimor.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se nëpërmjet vendimit për t’iu kthyer mësimit, mësimdhënësit dëshmuan vullnet të sinqertë “në kryerjen e misionit fisnik”.

“I përshëndes vendimet e shkollave të Komunës sonë që nga nesër të fillojnë me procesin mësimor dhe shpërndarjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, shkroi Fetahu.

Ndryshe, ndëprerja e grevës është bërë e ditur edhe nga shkollat “ “Xheladin Rekalu”, “Fan S.Noli” dhe Gjimnazi “A.Xhuvani”.

Përmes një njoftimi në Facebook, këto shkolla kanë ftuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla.

“Duke e pasur parasysh gjendjen e krijuar në arsim dhe në konsultim me DKA-Podujevë ftojmë të gjithë prindërit që nga data 05.09.2022 (e hënë) t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë dhe njëkohësisht të fillojë procesi mësimor.

Vendimi i djeshëm i qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për fëmijët tanë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, të dielën e katër shtatorit, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe kryetarin e Shtimës, Qemajl Aliu, kanë bërë thirrje për ndalimin e grevës dhe nisjen e vitit të ri shkollor, i cili ishte paraparë të fillojë më një shtator.

Katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë kërkuar nga mësimdhënësit që të ndalojnë grevën dhe të fillojnë procesin mësimor.

Ata, në një konferencë të përbashkët për media, kanë bërë apel te prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.

“Sot bashkë me kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, kryetarin e Kamenicës, Kadri Rrahimaj dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliu, në konferencë për media kemi paraqitur shqetësimet tona lidhur me mosfillimin e vitit të ri shkollor në nivel vendi”, thuhet në njoftim.

“Nga kjo konferencë ne u bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam te mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën”, vijon njoftimi.

Sipas njoftimit, thuhet se Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, “ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karshi inflacionit”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte deklaruar se të enjten e një shtatorit do të nisë viti i ri shkollor.

Ajo në një konferencë për media kishte thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura që procesi mësimor të nisë më një shtator.

“Nesër jemi më një shtator kur edhe zyrtarisht fillon viti i ri shkollor. Në lidhje me përgatitjen e fillimit të ri shkollor, tashmë është bërë shpërndarja e teksteve shkollore. Ato tashmë janë të ndara në të gjitha komunat. Kemi pasur takime të drejtpërdrejta me drejtoritë e arsimit, jemi informuar se të gjitha shkollat janë të gatshme dhe janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e procesit mësimor”, ishte shprehur ajo.

Në anën tjetër, Nagavci nuk la pa përmendur edhe grevën tashmë të shpallur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ajo u ka kërkuar mësimdhënësve që të mos mbajnë grevë.

Shija e redaktorit

Nga sot shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit

Nga dita e sotme qytetarët e Shqipërisë me pasaporta të rregullta mund të udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit. Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov...

Tre oficerë të FSK-së diplomojnë në Kolegjin CGSC të ushtrisë...

Oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), majorët Alban Bunjaku, Agron Murati dhe Alban Bujupi, pas studimeve njëvjeçare, diplomuan me sukses të lartë në...

Peja dhe Ulqini nënshkruajnë marrëveshjen e binjakëzimit si qytete

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pasur një mysafir të veçantë në zyrën e tij të shtunën. Ai priti me nderime kryetarin e Ulqinit, Genc...

Të fundit nga rubrika