Mësimi tërëditor zgjerohet në katër shkolla të reja në Prishtinë

Mësimi tërëditor në shkollat e Komunës së Prishtinës do të zgjerohet këtë vit shkollor edhe në katër shkolla të reja, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin dhe riorganizimin e procesit mësimor.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë drejt përfundimit, ndërsa krahas zgjerimit të mësimit tërëditor, janë vendosur edhe masa të reja për regjistrimin e nxënësve dhe organizimin e mësimit.

Sipas tij, synimi kryesor mbetet krijimi i kushteve më të mira për nxënësit dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Jemi në fazën përfundimtare dhe sigurisht që gjatë gjithë kësaj vere kemi bërë përgatitjet për të filluar viti i ri akademik shkollor, me të cilin nxënësit do të jenë të pranishëm në të gjitha shkollat e Prishtinës. Çdo shkollë e Prishtinës  të jetë gati në hapësirën teknike, por edhe atë të pjesës së furnizimit me materiale pedagogjike në shkolla. Prandaj, si Komunë e Prishtinës jemi gati. Kësaj here jemi gati për të zgjeruar edhe mësimin tërëditor në katër shkolla të reja, që do të jenë: Shkolla “Mehmet Gjevori”, “Afrim Gashi”, shkolla në Vranidoll dhe po ashtu “Asim Vokshi”, e cila kësaj radhe do të marrë sërish përsipër paralelet prej 1-shit deri në të 5, me të cilën nxënësit do të barten nga “Zejnel Hajdini” në “Asim Vokshi”, tha ai.

Sa i përket numrit të nxënësve, Elshani u shpreh se këtë herë janë vendosur kufizime për të regjistruarit në klasat e para, ku një klasë do ketë 30 nxënës, ndërsa është bërë pamundësimi i regjistrimit të nxënësve të komunave tjera.

“Po, ndryshimet janë ashtu si çdo vit. Në Komunën e Prishtinës ne kemi mbajtur një kriter të regjistrimit në klasat e para, ndryshe prej çdo viti tjetër. Kësaj radhe kemi vendosur kufizime për numrin e të regjistruarve për çdo klasë dhe mund të them që në 95% të shkollave është respektuar. Përjashtimisht, i kemi dy raste ku për shkak të procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes në vitin e kaluar, numri është tejkaluar, konkretisht në shkollën “Model” dhe në kërkesat e mëdha për shkollën “Faik Konica”. Por ajo çka mund të them me krenari është që në shumicën e shkollave, duke përfshirë “Ismail Qemalin”, “Dardaninë”, “Hasan Prishtinën” dhe shumë shkolla të tjera, është kufizuar numri prej 30 nxënësëve në klasë. Kjo për herë të parë në Komunën e Prishtinës, meqenëse në këto shkolla janë pranuar nga 37, 45 apo 43 nxënës, dhe këta numra sot nuk i shohim në klasat e para, për shkak të respektimit në përpikëri të zonimit të shkollës. Pra, ku banorët e një lagjeje të caktuar kanë pasur të drejtë të regjistrojnë fëmijën e tyre vetëm në shkollën e lagjes dhe jo në ndonjë shkollë tjetër. Për më tepër, është pamundësuar regjistrimi i nxënësve nga qytetet e tjera përreth, pavarësisht që prindërit e tyre punojnë në Prishtinë. Çdo gjë është bërë në bazë të vendbanimit. Për këtë jam i lumtur dhe me krenari e them prapë që është arritur që ky numër të respektohet ky numër dhe të kemi një kualitet sigurisht në të ardhmen më të mirë të mësimnxënies dhe mësimdhënies konkretisht në shkollat tona, sepse numri ndikon sigurisht në kualitetin e mësimnxënies”, theksoi ai për Ekonomia Online.

Kurse, s ai përketnumrit të mësimdhënësve, Elshani tha se ndryshe prej komunave tjera, në Prishtinë ka më shumë kërkesa për punësim.

“Shpërndarja e tyre (mjeteve shkollore) do të bëhet ditëve në vijim dhe për 1 shtator do të jemi gati. Pra, kanë mbetur edhe disa ditë për tu bërë 1 shtatori, prandaj do të jemi gati për 1 shtator që të gjitha materialet të jenë në çdo klasë dhe tek secili mësimdhënës. Sa i përket mungesës së mësimdhënësve, sigurisht që për shkak të konkursit të fundit dhe numrave të kufizuar që i kemi në rekrutim, do të jetë një sfidë. Por, në përgjithësi Komuna e Prishtinës, ndryshe prej komunave të tjera, e ka një numër më të lartë të mësimdhënësve dhe ka një kërkesë më të madhe për punësim, prandaj nuk kemi një presion siç është në vendet e tjera, ku realisht nuk kanë as aplikantë dhe nuk kanë mësimdhënës të mjaftueshëm, e diku diku i kanë edhe tepricë, meqenëse shkollat i kanë të zbrazura”, shtoi ai.

Drejtori i Arsimit premtoi se gjatë mandatit të tij do bëhet prioritizimi i rasteve të asistentëve, psikologëve dhe logopedëve, i cili do bëhet në mënyrë racionale.

“Gjatë mandatit tim do të ketë konform kërkesave të shkollave, konform numrit të nxënësve në shkolla, do të bëhet edhe prioritizimi i rasteve të asistentëve, psikologëve, logopedëve dhe mësuesve mbështetës. E siguroj që do të bëhet në mënyrë racionale dhe objektive, pa i hyrë në hak asnjë shkolle, por gjithmonë duke respektuar kërkesat e qytetarëve dhe kërkesat e nxënësve. Asnjëherë për shkak të pëlqimeve të njërës apo tjetrës palë, por pikërisht për shkak të kualitetit, me fokus nxënësin”, tha ai.

Elshani tha se janë bërë ndryshime edhe në organizimin e mësimit tërërditor, ku lëndët obligative do mbahen paradite, ndërsa aktivitetet zgjedhore pasdite.

“Këto shkolla realisht nuk janë prej shkollave të mëdha të Prishtinës, janë shkolla që kanë pasur hapësira për t’u shfrytëzuar. Janë bërë disa ridestinime të hapësirave të tyre që i kanë pasur të brendshme. Mësimi tërëditor është një përvojë e re për të gjithë ne, veçanërisht për Prishtinën, dhe kjo e don një përmirësim vit pas viti në mënyrë që t’i akomodohemi dhe ambientohemi në njëfarë forme kësaj mënyre të të mësuarit. Meqenëse këto shkolla aktuale janë të ndërtuara në kohë më parë dhe sigurisht për një format tjetër të ligjërimit dhe të mësimnxënies, por në këtë rast ne jemi duke bërë ambientimin e tyre vit pas viti. Kështu ka ndodhur edhe gjatë kësaj vere, ku janë bërë investime në këto hapësira që mund të kenë qenë modeste, por që e bëjnë funksionale. Ajo çka është më e rëndësishme përjashtimisht vetëm hapësirave është e rëndësishme edhe çështja e agjendës, pra orarit ditor se si organizohet dita e mësimit tërëditor. Këtu kemi bërë ndryshime dhe kjo do të reflektojë në këtë vit shkollor, ku parimisht lëndët bazë dhe ato obligative do të mbahen në orarin e paradites, ndërsa pasdite do të kemi aktivitetet zgjedhore dhe aktivitetet tematike. Ne jemi duke punuar drejt një drejtimi ku do të përfshijmë akterë të jashtëm për të mundësuar një mësim tërëditor të kënaqshëm për nxënësit në radhë të parë, pastaj edhe për prindërit por edhe për mësimdhënësit, që sot e kanë një barrë shumë të madhe për shkak të orarit në një farë forme të zgjatur dhe lodhjes që e kanë, sepse i kanë sfidat e tyre, sigurisht që nuk është e lehtë për asnjërin të punojë me 30 fëmijë për tetë orë të tëra”, tha ai.

Elshani u shpreh se me përfundimin e ndërtimit të disa shkollave të reja, do zgjerohet edhe më tutje mësimi tërëditor.

“Mundësitë për t’u zgjeruar në të gjitha shkollat e qytetit ekzistojnë. Kjo shkon paralelisht me ndërtimin e shkollave të reja. Jemi në pritje të përfundimit të disa shkollave që konsideroj deri vitin e ardhshëm do të hapen. Bëhet fjalë për shkollën “Kodrina”, që është duke u ndërtuar me partneritet publiko-privat, për shkollën “Qëndresa”, në lagjen e Qëndresës dhe tjetra te Pallati i Drejtësisë, që është një investim i Ministrisë së Arsimit dhe shkollën tjetër me partneritet publiko-privat në Sofali dhe ajo e Kalabrisë, që është në përfundim e sipër, që mund të përfundojë gjatë këtij viti. Të gjitha këto ndikojnë në mundësinë e shtrirjes së mësimit tërëditor”, theksoi ai.

Ndërsa, sa i përket rezultateve që ka dhënë mësimi tërëditor, Elshani tha se matjet duhet të bëhen në mënyrë sistematike e që sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, mirëpo shtoi se në aspektin e vlerësimit janë shfaqur rezultate pozitive.

“Sa i përket aspektit tjetër lidhur me kualitetin dhe matjet që janë bërë me mësimin tërëditor, konsideroj që për këtë duhet që vlerësimet dhe matjet të bëhen në formë sistematike por edhe me një operacion të matshëm dhe të drejtë. Fatkeqësisht, sot ne nuk kemi matje të tilla që na tregojnë rezultate për shumëçka, jo vetëm për efektin e mësimit tërëditor, por edhe për çështjen e kualitetit të secilës shkollë, apo për çështjen e cilësisë në shkolla të mësimnxënies, apo të menaxhimit të shkollave, këtu çalojnë në përgjithësi në të gjithë Kosovën, për shkak të mungesës së një metodologjie. Ka nevojë që kjo të hartohen dokumente të posaçme, strategji të posaçme që planifikojnë se si bëhen matjet për këto çështje, por ajo që mund të them në raport me mësimin tërëditor sot është që ka efektet e saj pozitive, qoftë në aspektin e vlerësimit, pra kjo është që është një njësi matëse që e bëjmë, për notat mesatare të nxënësve, e kemi në raport me shkathtësitë e tyre në drejtime të caktuara, në fusha të caktuara, të matematikës apo STEM, edhe këto janë evidente, në bazë të disa matjeve që konsideroj që nuk janë shumë relevante apo kredibile, por që ia vlen të përmenden. Tjetra është në raport me njohuritë dhe me çështjen e detyrave dhe plotësimit e të gjitha kërkesave që i kanë prej mësueve dhe plotësohen prej fëmijëve”, përfundoi ai./EO

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika