Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kritikuar mënyrën e themelimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke thënë se kjo gjykatë është shoqëruar me shumë paradokse.
Miftaraj, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, ka deklaruar se Gjykata Speciale është themeluar në Kosovë për shkak të presionit ndërkombëtar dhe proceseve nëpër të cilat kishte kaluar vendi, ndërsa ka vlerësuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë vepruar për interesat e Kosovës.
“Kjo gjykatë ka pas jashtëzakonisht shumë paradokse të cilat në njëfarë mënyre i ka duruar Kosova, është një gjykatë që është dashtë me themelu në Kosovë për shkak të presioni ndërkombëtar për shkak të proceseve të cilat i ka kalu Kosova edhe i kemi pasur katër liderë politikë që përtej interesave të veta kanë vepru për interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh Miftaraj.
Ai ka folur edhe për pretendimet për trafikim me organe gjatë luftës në Kosovë, duke i cilësuar si paradoks faktin që Gjykata Speciale është themeluar pas publikimit të raportit të Dick Martyt, ndërsa aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, nuk përfshin trafikimin me organe.
“I gjithë presioni ndërkombëtarë ka ndiku që me u ngrit në publik, hipoteza e pretendime se kinse gjatë luftës ka pasur trafikim me organe, më 2004 kur kam nisur punën në UNMIK për mua ka qenë paradoks që në departament të drejtësisë me i dëgju këto akuza”, tha ai.
Miftaraj ka përmendur edhe një raport të IKD-së të publikuar në vitin 2017 për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Sipas tij, deri atëherë në Kosovë ishin dënuar 33 persona për krime lufte, prej të cilëve 31 shqiptarë.
Ai ka kritikuar edhe punën e UNMIK-ut dhe EULEX-it në trajtimin e krimeve të luftës, duke thënë se këto misione nuk kanë pasur vullnet të mjaftueshëm politik për t’i trajtuar ato.
“Ne ishim dorëzu prej PDK-së, LDK-së e AAK-së se kanë me i trajtu krimet e luftës ishim dorëzu, dhe në atë raport e kemi trajtu e shpjegu se UNMIK-u s’ka pasur vullnet politik fare – kanë pas për qëllim paqen e pajtimi ndërsa trajtimi i krimeve të luftës i ka pengu në proces njëfarë mënyrë të pajtimi – njëjtë kur ka ardh edhe EULEX-i”, deklaroi Miftaraj.
Sipas tij, një tjetër “paradoks” që lë shije të keqe është se Gjykata Speciale është themeluar mbi bazën e pretendimeve për trafikim me organe, por aktakuza e Prokurorisë së Specializuar nuk lidhet me këtë çështje.
“Paradoksi kryesor e që lë shije të keqe është që kjo gjykatë është themelu me një arsye të thjeshtë se kur është publiku Raporti i Dick Martyt ka qenë për trafikim me organe, për vendet perëndimore kjo ka qenë shumë e rëndë dhe kjo gjykatë ka përfundu me një aktakuzë që fare nuk ka të bëjë më trafikim me organe dhe as vetë Prokuroria s’ka mujt me konstatu që ka pas trafikim organesh”, u shpreh ai.
Miftaraj ka kritikuar edhe ndryshimet në stafin gjyqësor gjatë procesit, duke thënë se disa gjyqtarë kanë kaluar në pozita të tjera gjatë rrugës.
“Ka pasur gjyqtarë që gjatë rrugës e kanë ndryshu punën për pozita më të mira dhe kjo tregon joseriozitet”, tha Miftaraj.