Miftaraj i jep të drejtë presidentes për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit Blerim Isufajit. Ai ka thënë se duhet ta përgëzojmë presidenten për lidershipin e treguar. “Vendimi i presidentes Osmani në linjë të njëjtë me qëndrimet e organizatave jo qeveritare, reagimet e […]
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e kryeprokurorit të shtetit Blerim Isufajit.
Ai ka thënë se duhet ta përgëzojmë presidenten për lidershipin e treguar.
“Vendimi i presidentes Osmani në linjë të njëjtë me qëndrimet e organizatave jo qeveritare, reagimet e Ambasadave, Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian”, ka thënë Miftaraj.
“Sot duhet përgëzuar presidenten për lidership dhe vendim marrje të bazuar në Kushtetutë, ligj dhe praktikën e ndërtuar nga Gjykata kushtetuese”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dështuar.
“Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe me integritet. Nuk është hera e parë që Këshilli dështon në procese të tilla. Njëjtë kishte vepruar edhe me emërimin e kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Njëjtë kishin reaguar Ambasadat e huaja, organizatat joqeveritare, ZBE dhe Komisioni Evropian, duke i kontestuar këto procese dhe duke kritikuar Kosovën për gjendjen në sistemin prokurorial”, ka thënë ai.
“Këshilli Prokurorial duhet të zhvillojë një proces të ri, i cili proces duhet të fillojë përmes ndryshimit të Rregullores dhe dokumenteve përcjellëse dhe të sigurojë një proces të pavarur, të drejtë të bazuar në meritokraci dhe me integritet”, ka theksuar.
Ai ka përfunduar duke thënë se duhet të kërkohet “llogari dhe përgjegjësi te Këshilli Prokurorial” që sipas tij, ky organ “po dështon vazhdimisht të sigurojë meritokraci dhe integritet në procese të rëndësishme të emërimeve të larta në sistemin prokurorial”.















