Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në Prishtinë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Katër ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, sheshi “Skënderbeu” dhe hapësirat përreth ishin mbushur me qytetarë, veteranë të luftës, familjarë të të akuzuarve e të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, kërkoi një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke thënë se një proces i padrejtë, sipas tij, do t’u shërbente Serbisë dhe Rusisë.
“Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë”, tha Gucati.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se qytetarët janë mbledhur për të kujtuar dhe nderuar luftën e UÇK-së. Ai u bëri thirrje atyre që do të marrin vendimin më 16 shtator që të mendojnë për pasojat e tij.
“Një vendim i drejtë e forcon drejtësinë, por një vendim i padrejtë e shkatërron atë. Padrejtësinë nuk e pranojmë”, deklaroi Hamza.
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se luftëtarët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se historia e kësaj lufte nuk mund të njolloset.
“Qysh mundet me pas faj një popull, qysh mundën me pas faj njerëzit që e kanë kap pushkën për liri?”, u shpreh Gjini, duke shtuar se ata që kanë luftuar për vendin e tyre meritojnë mirënjohje dhe jo persekutim.
Ndërkaq, organizatorja Eliza Hoxha e lidhi marshin e sotëm me “Marshin e Lirisë” të vitit 1999, kur pjesëtarët e UÇK-së marshuan nëpër qytetet e Kosovës pas demilitarizimit.
“Sot marshojmë me UÇK-në, për UÇK-në, sepse UÇK na bashkon, na ka bashkuar dikur, na bashkon edhe sot”, tha Hoxha.
Ajo tha se Kosova pret drejtësi dhe dinjitet, duke kërkuar që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ismail Tasholli, nga platforma “Liria ka Emër”, tha se mobilizimi i qytetarëve, sipas tij, ka treguar mbështetjen për UÇK-në.
“Kosova e do UÇK-në. Sa më shumë janë mundu me e ligështu, na u ka rikthy si feniksi”, deklaroi Tasholli.
Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të shpallet më 16 shtator në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.