Gjatë pyetjeve të tij, Prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit Wesley Clark një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së.

Në libër, Mike Jackson fliste për periudhën pak momente përpara se Clark të bëhej pjesë e këtij takimi. Në këtë rast, ai kishte treguar se Thaçi i inatosur i kishte thënë se askush nuk mund të luante me UÇK-në.

“Negociatat u bënë shumë të tensionuara…Thaçi na tha i inatosur “askush nuk luan lojëra me UÇK-në”. Ai na bërtiti duke e thënë këtë gjë. Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni ju neve udhëzime, atëherë e keni gabim dhe do ju vijë keq për këtë”, lexoi prokurori nga libri i Jackson.

Dëshmitari Clark tha se me shumë gjasa ka qenë i informuar për këtë gjë dhe Jackson do ia ketë thënë.

Clark: S’kam marrë informacion nga Thaçi, por nga nivele më të ulëta

Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se vazhdimisht po përpiqeshin që të merrnin informacione nga UÇK-ja. Tha se këtë informacion nuk e ka marrë asnjëherë nga Hashim Thaçi, por nga nivele më të ulëta dhe në biseda joformale.

“Nuk vihet në dyshim se të gjithë po përpiqeshin që të merrnin informacion nga UÇK-ja. Ne duhej të merreshim informacion nga terreni dhe gradualisht kemi marrë më shumë informacion. Po e merrnim nga të gjitha burimet e mundshme por siç thash në deklaratat e mia dje, nuk kam marrë asnjë gjë nga Thaçi i cili siç e dini pretendohet të ketë qenë përgjegjës. Tek unë nuk ka ardhur. Është nxjerrë nga nivele me të ulëta, nga biseda joformale dhe kam marë përshtypjet e forcave të mia speciale që ishin në Kukës”, tha Clark.

Përveç kësaj, gjenerali Clark tha se ka pasur dy persona atje dhe se ata kanë marrë informacione nga njerëzit me të cilët bisedonin.

Clark tregoi se në mars të 1999-ës është takuar njëherë me Thaçin në bazën ajrore të tyre./BetimipërDrejtësi