Një automjet me të cilin po barteshin dinar serb, është sekuestruar të shtunën në Pejë, me urdhër të Prokurorisë.

Brenda automjetit, Dukagjini ka mësuar se janë gjetur rreth 4 milionë dinar, të cilat kanë vlerën e mbi 30 mijë eurove.

Sekuestrimi, sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, u bë në mënyrë që të shikohet nëse Banka Qendrore është e informuar se në treg po qarkullon kjo sasi e parave.
“Me autorizim të prokurorit të rastit, paratë dhe automjeti janë sekuestruar, deri sa të vërtetohet nëse i kanë kaluar verifikimet nga Banka Qendrore, të cilat parashihen sipas ligjit. Vlera është mbi dhjetë mijë euro, prandaj edhe duhet të dokumentohet se janë kaluar këto procedura”, ka thënë Shkodran Nikçi – Zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.

Në Gorazhdec të Pejës, automjeti me regjistrim të qytetit serb të Vranjës, kishte mbërritur pasi kishte hyrë përmes pikës kufitare të Jarinje.

Televizioni, gjatë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës në lidhje me këtë rast, por kjo ka qenë e pamundur.

Ndërkohë në një publikimt të këtij institucioni, që përfshinte pyetjet dhe përgjigjet nga dokumenti I shumë diskutuar së fundmi, Rregullorja për Operacione me Paratë e Gatshme, jepen sqarime edhe për pjesën e eksportit e importit të eurove, por edhe valutave të tjera.

“Importi apo eksporti ndërkufitar i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera nga dhe për në Republikën e Kosovës, mund të lejohet vetëm përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tek autoritetet kufitare”, thuhet në komunikatën Bankës Qendore të Kosovës.

Transportimi i dinarëve nga Serbia në  Kosovë ka qenë praktikë e ndërtuar ndër vite, me metet e dërguara nga shteti serb, u kanë shkuar banorëve të këtij komuniteti që përfitojnë pensione, asistencën sociale, por edhe pagat për të punësuarit në institucione paralele.