Tridhjetë militantë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dogjën armët e tyre në hyrje të një shpelle në veri të Irakut sot(e premte), duke shënuar një hap simbolik, por të rëndësishëm drejt përfundimit të një kryengritjeje disadekadëshe kundër Turqisë.

Pamjet nga ceremonia tregojnë luftëtarët, gjysma prej tyre gra, në radhë për të vendosur pushkë automatike AK-47, municione dhe armë të tjera në një kazan të madh ngjyrë gri. Flakët më pas përfshinë tyta të zeza armësh të drejtuara nga qielli, teksa zyrtarë kurdë, irakianë dhe turq vëzhgonin nga afër, raporton Reuters përcjell Dukagjini.

PKK-ja, e shpallur jashtë ligji që nga viti 1984 dhe në konflikt të vazhdueshëm me shtetin turk, vendosi në maj të shpërbëhet, të çarmatoset dhe t’i japë fund përpjekjes së saj separatiste, pas një thirrjeje publike nga udhëheqësi i saj prej kohësh në burg, Abdullah Ocalan.

Pas disa përpjekjesh të dështuara për paqe, nisma e re mund të hapë rrugën që Ankaraja t’i japë fund një kryengritjeje që ka shkaktuar mbi 40 mijë viktima, ka rënduar ekonominë dhe ka thelluar ndarjet shoqërore e politike në Turqi dhe më gjerë në rajon.

Ceremonia u mbajt në hyrje të shpellës Jasana në qytetin Dukan, 60 km në veriperëndim të qytetit të Sulaymanijas në rajonin e Kurdistanit të Irakut të veriut.

Luftëtarët, të veshur me uniforma ushtarake bezhë, ishin të shoqëruar nga katër komandantë, përfshirë figurën e lartë të PKK-së, Bese Hozat, e cila lexoi një deklaratë në gjuhën turke duke shpallur vendimin e grupit për t’u çarmatosur.

“Ne i shkatërrojmë vullnetarisht armët tona, në praninë tuaj, si një hap vullneti të mirë dhe vendosmërie”, tha ajo, përpara se një komandant tjetër të lexonte të njëjtën deklaratë në gjuhën kurde.

Një dëshmitar i Reuters tha se helikopterë fluturonin mbi zonë, ndërsa dhjetëra forca të sigurisë kurde irakiane kishin rrethuar rajonin malor.

Në ceremoni morën pjesë figura të inteligjencës turke dhe irakiane, zyrtarë të qeverisë rajonale të Kurdistanit të Irakut dhe përfaqësues të lartë të partisë pro-kurde turke DEM – e cila luajti një rol kyç këtë vit në lehtësimin e vendimit të PKK-së për çarmatosje.

Nuk është e qartë se kur do të pasojnë dorëzimet e tjera.

Një zyrtar i lartë turk tha se dorëzimi i armëve shënon një “pikë kthese të pakthyeshme” në procesin e paqes, ndërsa një burim tjetër nga qeveria deklaroi se hapat pasues do të përfshijnë integrimin ligjor të anëtarëve të PKK-së në shoqërinë turke dhe përpjekjet për shërimin e komuniteteve dhe nxitjen e pajtimit.

PKK-ja ishte koncentruar në veri të Irakut pasi është shtyrë përtej kufirit juglindor të Turqisë gjatë viteve të fundit. Ushtria turke ndërmerr rregullisht sulme ndaj bazave të PKK-së në rajon dhe ka vendosur disa pika ushtarake atje.

Përfundimi i konfliktit të Turqisë, anëtare e NATO-s, me PKK-në mund të ketë pasoja në të gjithë rajonin, përfshirë Sirinë fqinje, ku Shtetet e Bashkuara janë aleate me forcat kurde siriane që Ankaraja i konsideron si degë të PKK-së.

Uashingtoni dhe Ankaraja duan që ato forca kurde të integrohen sa më shpejt në strukturat e sigurisë së Sirisë, të cilat janë duke u rikonfiguruar që nga rrëzimi në dhjetor i presidentit autokratik Bashar al-Asad. Çarmatosja e PKK-së mund të shtojë presionin në këtë drejtim, thonë analistët.

PKK-ja, partia DEM dhe Ocalan kanë bërë thirrje që qeveria e presidentit turk Tayyip Erdogan të adresojë kërkesat e kurdëve për më shumë të drejta në rajonet ku ata përbëjnë shumicën, veçanërisht në juglindje të Turqisë, ku ka qenë e përqendruar kryengritja.

Në një video të rrallë të publikuar të mërkurën, Ocalan – portreti i të cilit u shfaq madhështor gjatë ceremonisë së armëve – i bëri gjithashtu thirrje parlamentit të Turqisë të krijojë një komision për të mbikëqyrur çarmatosjen dhe për të menaxhuar procesin më të gjerë të paqes.

Ankaraja ka ndërmarrë hapa drejt formimit të këtij komisioni, ndërsa DEM dhe Ocalan kanë theksuar se janë të nevojshme garanci ligjore dhe mekanizma të caktuar për ta bërë kalimin e PKK-së në politikën demokratike sa më të lehtë.

Zëdhënësi i partisë AK të Erdogan-it, Omer Celik, deklaroi se ceremonia shënon një hap të parë drejt çarmatosjes së plotë dhe një “Turqie pa terrorizëm”, duke shtuar se ky proces duhet të përfundojë “në një kohë të shkurtër”.

Presidenti Erdogan ka thënë se çarmatosja do të mundësojë rindërtimin e rajonit juglindor të Turqisë.

Turqia ka shpenzuar afër 1.8 trilionë dollarë gjatë pesë dekadave të fundit për të luftuar terrorizmin, sipas ministrit të Financave, Mehmet Simsek.