Katër persona kanë humbur jetën pasi një minibus shkollor u përplas me një tren në Buggenhout, në veri të Belgjikës.
Dy fëmijë, të moshës 12 dhe 15 vjeç, si dhe dy të rritur, mbetën të vdekur në aksidentin tragjik, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në momentin e përplasjes, minibusi transportonte shtatë fëmijë, shoferin 49-vjeçar dhe një shoqëruese 27-vjeçare. Ngjarja ndodhi pak pas orës 08:00 sipas kohës lokale.
Zëdhënësja e policisë federale, An Berger, tha se minibusi ishte nisur drejt një shkolle të arsimit special.
Ministri belg i Mobilitetit, Jean-Luc Crucke, konfirmoi raportimet se barrierat në vendkalimin hekurudhor kishin qenë të ulura në momentin e aksidentit.
Pesë fëmijët e tjerë që ndodheshin në autobus ndodhen në gjendje kritike, por stabile në spital, tha zëdhënësja e prokurorisë publike.
Ajo shtoi se është hapur një hetim për incidentin.
Sipas Berger, minibusi po lëvizte në një rrugë paralele me hekurudhën dhe më pas shoferi kishte kthyer majtas drejt vendkalimit hekurudhor, ndërkohë që barriera ishte tashmë e ulur. Në atë moment, një tren po kalonte nëpër qytetin e vogël të Buggenhout dhe u përplas me minibusin.
Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë, pasi treni po udhëtonte me rreth 120 kilometra në orë. Minibusi u përplas fillimisht me një shtyllë dhe më pas u hodh në oborrin e një shtëpie aty pranë.
Askush nga pasagjerët e trenit nuk u lëndua, megjithëse një person po trajtohej për gjendje shoku, sipas policisë.
“Europa sot vajton me Belgjikën,” deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zëdhënësi i rrjetit hekurudhor belg Infrabel, Thomas Baeken, tha për transmetuesin publik VRT se treni po ngadalësonte shpejtësinë teksa afrohej në stacionin e Buggenhout në momentin e përplasjes.
Ai shtoi se pamjet fillestare nga kamerat e sigurisë konfirmojnë se dritat në vendkalimin hekurudhor ishin të kuqe dhe barriera ishte e ulur.
“Si mund të ketë ndodhur ky aksident, nuk e dimë. Kjo i takon policisë dhe prokurorisë ta hetojnë,” tha Baeken.