Ministrat e Qeverisë Kurti urojnë popullin shqiptar për Festën e Flamurit

Ministrat kosovarë kanë uruar të gjithë popullin shqiptar për festën e 28 Nëntorit, duke kujtuar tri figurat më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar





Ministrat e kabinetit qeveritar në Kosovë, kanë uruar të gjithë popullin shqiptar për Festën e Flamurit, 28 Nëntorin.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, teksa ka uruar për ditën më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, ka kujtuar tri figurat më të rëndësishme.

“Në këtë ditë të Flamurit e të Pavarësisë, kujtojmë sakrificën e shumë brezave ndër kombin shqiptar që dhanë jetën për të vendosur e forcuar themelet shqiptare, në luftën për liri e pavarësi, gjithnjë për çlirim. Të gjithë shqiptarët përulen me nderim të madh përpara Flamurit, Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit”, shkroi në Facebook Nagavci.

Se 28 Nëntori është festa e qëndisur me historinë shqiptare, e thotë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se kjo ditë është përpjekja e atyre që u angazhuan pareshtur për kombin shqiptar.

“28 Nëntori është festa e qëndisur me historinë tonë shqiptare. Është përpjekja e martirëve, patriotëve dhe të gjithë atyre që u angazhuan pareshtur për kombin tonë. Është historia jonë e lavdishme, e cila na bënë krenarë dhe na mbanë të lidhur drejt aspiratave tjera kombëtare”, shkroi Haxhiu.

Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se në këtë ditë po kremtohet data më kuptimplotë e kombit shqiptar, në të cilën, u vunë themelet e palëkundura të shtetësisë kombëtare shqiptare.

Ajo ka theksuar se historia e lavdishme kombëtare është frymëzim dhe përgjegjësi për secilin, për të kontribuuar pareshtur në të tashmen dhe të ardhmen prosperuese të shqiptarëve.

“Më 28 Nëntor, me përulje dhe mirënjohje të përjetshme, përkujtojmë kthimin e kryeheroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Hajdari.

Edhe Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka shkruar një urim për Ditën e shqiptarisë.

“Çdo vend ku flitet dhe frymohet shqip, çdo qytet, fshat e lagje që sot krenohet me flamurin e vet, janë Atdheu ynë, që nuk i përkasin vetëm historisë, por mbi të gjitha i përkasin të ardhmes së brezave dhe gjeneratave të reja që do vijnë. Për ta duhet ta ndërtojmë një të tashme të drejtë dhe ekonomi të qëndrueshme për përfitimin e rritjen e të gjithëve pa dallim. Këto, bashkë me amanetet që na i kanë lënë dëshmorët, janë detyrat tona dhe interesi ynë kombëtar”, ka shkruar Aliu.

Pos tyre, ndonëse shkurtimisht, edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka uruar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve.

“Gëzuar 28 nëntori të gjithë shqiptarëve. Paçim njëri-tjetrin gjithmonë në krah, në vështirësi e ditë të bukura si kjo”, ka thënë ajo.

Po ashtu, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka uruar për Festën e Flamurit.

“Ta gëzojmë të gjithë së bashku Ditën e Flamurin, ditëlindjen e 110-të të shtetit shqiptar. Festofshim për jetë e mot, të gjithë së bashku, të pathyeshëm ndaj sfidave”.





Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika