Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, as këtë të martë nuk është paraqitur në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku ishte i ftuar.

Aliu ka thënë se paraprakisht kishte njoftuar anëtarët e Komisionit se për shkak të ngarkesës së lartë të punës, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në mbledhjen e së martës.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja në këtë komision është një detyrë e rëndësishme në angazhimin e tij publik dhe politik.

Po ashtu, ministri Aliu ka rikonfirmuar gatishmërinë për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të komisionit, pas koordinimit nga të dyja palët.

“Kam njoftuar paraprakisht anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, që për shkak të agjendës së ngarkuar me punë, sot do e kem të pamundur të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit.  Pjesëmarrjen në këtë komision e shoh si detyrë të rëndësishme në angazhimin tim publik dhe politik, në këtë drejtim rikonfirmoj gatishmërinë time për të marrë pjesë në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni posa të koordinohemi të dyja palët bashkë”, ka shkruar ministri Aliu në Facebook.

Ministri Aliu s’merr pjesë në Komision, përplasen pozita dhe opozita

Shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021” ka sjellë tensione në mes të pozitës dhe opozitës.

Debatet nisën pasi deputetët e pozitës “mbronin punën” e ministrit Aliu, ndërsa opozitarët kërkonin që raporti të shkojë në Kuvend për shqyrtim.