Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se ka shkelur procedurat e sigurisë gjatë vizitës së tij në këtë shtet, duke pretenduar se në vend janë futur persona të armatosur që nuk kanë qenë pjesë e listës zyrtare të sigurisë së delegacionit.
Helez ka thënë se asnjë zyrtar i huaj nuk ka të drejtë të sjellë në territorin e Bosnje e Hercegovinës grupe të armatosura të paregjistruara apo të anashkalojë procedurat e përcaktuara nga institucionet vendore.
Sipas tij, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kantonit të Bosnjës Qendrore kanë ndërhyrë pas njoftimeve nga qytetarët për praninë e një grupi personash të armatosur pranë Bugojnës.
“Vuçiqi e ka mësuar se Drina është ende kufi”, ka deklaruar Helez, sipas mediave në Sarajevë.
Ai ka vlerësuar veprimin e policisë, duke thënë se rasti dëshmon se institucionet e Bosnje e Hercegovinës funksionojnë dhe se rregullat e sigurisë duhet të vlejnë njësoj për të gjithë zyrtarët e huaj.
Sipas Helezt, personat e ndaluar për verifikim kanë pretenduar se janë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Srpska, por prania e tyre nuk ka qenë e përfshirë në listën zyrtare të sigurisë për vizitën e Vuçiqit.
Pas raportimeve nga qytetarët, njësia speciale e policisë ka nisur një operacion kërkimi. Kur zyrtarët policorë kanë lokalizuar grupin dhe janë afruar, personat dyshohet se janë larguar me mjete katër-rrotëshe dhe kanë hyrë në zonat pyjore.
Helez ka theksuar se të gjithë personat përgjegjës për sigurinë e zyrtarëve të huaj që vizitojnë Bosnje e Hercegovinën duhet të jenë të regjistruar pranë Drejtorisë për Koordinimin e Trupave Policore të Bosnje e Hercegovinës.
Ai ka pretenduar se Ministria e Punëve të Brendshme të Kantonit të Bosnjës Qendrore ka krahasuar numrin e personave të regjistruar në ekipin e sigurisë së Vuçiqit me personat e vërejtur në terren dhe ka konstatuar se kishte më shumë individë sesa ishte raportuar zyrtarisht.
Helez ka deklaruar se vizitat e Vuçiqit në rajon shpesh shoqërohen me tensione politike dhe ka kërkuar që presidenti serb dhe delegacioni i tij të respektojnë institucionet dhe ligjet e vendit pritës.