Ministri britanik i Mbrojtjes, Vernon Coaker, ka folur për vizitën e tij në Kosovë teksa ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë, stabilitetit dhe së ardhmes së përbashkët të Kosovës.
Coaker, nëpërmjet një videoje, deklaron se vizita e tij kishte për qëllim riafirmimin e përkushtimit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës si një demokraci e sigurt, stabile dhe multietnike, njofton Dukagjini.
“Kjo vizitë ka pasur për qëllim riafirmimin e angazhimit të qëndrueshëm të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës si një demokraci e sigurt dhe shumë etnike”, thotë Coaker.
Ai vlerësoi rolin e misionit të KFOR në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, duke theksuar se Britania e Madhe është krenare që vazhdon të kontribuojë në këtë mision.
“Nga diskutimet me KFOR-in, është e qartë se roli i tyre mbetet jetik për ruajtjen e stabilitetit dhe Mbretëria e Bashkuar është krenare që vazhdon të luajë rolin e saj në këtë mision”, tha Coaker.
Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, ministri britanik zhvilloi takime me drejtues të lartë lidhur me trajnimin ushtarak, edukimin dhe ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në përfundim të vizitës, ministri britanik theksoi se mesazhi kryesor është se Mbretëria e Bashkuar mbetet partner i palëkundur i Kosovës, kontribuues i rëndësishëm në NATO dhe e përkushtuar ndaj sigurisë, stabilitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët.
