Ministri francez: Shkëputja ekonomike nga Kina është “iluzion”

Ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire, gjatë një vizite të dielën në Pekin ka thënë se shkëputja e të gjitha lidhjeve ekonomike me Kinën, është një “iluzion”

Ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire

Ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire, gjatë një vizite të dielën në Pekin, ka thënë se shkëputja e të gjitha lidhjeve ekonomike me Kinën, është një “iluzion”.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa shumë shtete të Perëndimit tentojnë ta ulin varësinë ndaj Kinës.

“Ne e kundërshtojmë plotësisht idenë e shkëputjes. Shkëputja është iluzion. Nuk ka mundësi që të ketë ndonjë shkëputje në mes të ekonomive amerikane, evropiane dhe kineze”, u ka thënë Le Maire gazetarëve në Ambasadën e Francës.

Megjithatë, ai e ka mbrojtur ambicien e Francës për t’u bërë më e pavarur në disa sektorë, por ka shtuar se koncepti i uljes së rrezikut – që është bërë fjalë kyçe muajve të fundit në Perëndim – “nuk nënkupton se Kina përbën rrezik”.

“Ulja e rrezikut nënkupton se ne duam të jemi më të pavarur… ne nuk duam të jemi në pikën që kemi qenë gjatë pandemisë së koronavirusit, ta kuptojmë se jemi tejet të varur nga disa komponentë”, ka shtuar ai, duke i përmendur mikroçipat si një prej shembujve.

Deklaratat e Le Maires vijnë teksa disa shtete perëndimore tentojnë ta ulin varësinë ndaj Kinës, sidomos Gjermania, e cila e konsideron shtetin aziatik si partnerin kyç tregtar dhe treg të rëndësishëm për industrinë e saj të automobilave.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë, po ashtu, thirrje për ulje të varësisë nga Kina, ndonëse sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yelln, ka thënë gjatë një vizite në Kinë, më herët gjatë këtij muaji se, shkëputja e ekonomisë së SHBA-së me atë të Kinës është “virtualisht e pamundshme”.

Kina, në anën tjetër, e ka kritikuar Perëndimin për tentimet për ulje të varësisë, pasi kryeministri Li Qiang e ka quajtur këtë koncept si “teori të rreme”.

Le Maire është në Kinë për negociata ekonomike të nivelit të lartë dhe do të udhëtojë të hënën në zonën ekonomike të Kinës, Shenzhen, për t’u takuar me liderë biznesorë. /REL

 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika