Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, këtë të hënë do të qëndrojë në Kosovë, ku do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Ministri gjerman, Pistorius, gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga deputetë të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Takimi me presidenten Osmani do të mbahet në Presidencë duke filluar nga ora 11:00, pas të cilit do të mbahet edhe një konferencë për medie.

Ndërsa, takimi me Kurtin do të mbahet duke filluar nga ora 12:30.

Përveç me ta, ministri Pistorius do të takohet edhe me homologun e tij në Kosovë, ministrin Ejup Maqedonci.

Ministri gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes do të pritet me ceremoni zyrtare, i shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, nga ora 13:30.

“Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të hënën, më 5 shkurt, do të presë në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, të shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, do të zhvillohet në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ora 13:30”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takim bilateral.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00.

“Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre”, thuhet tutje në njoftim.