Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Besfort Lamallari ka reaguar gjithashtu pas debatit të nxitur nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë.
Lamallari tha se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues”.
Ai përmendi edhe faktin se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kishte kërkuar njohjen e Kosovës në Beograd.
”Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Postimi:
Me targa 🇽🇰 dhe 🇲🇰, futen në Republikën e Shqipërisë kinse janë ‘diaspora’ në shpëtim të vendit, me plis në kokë e këngë patriotike në sfond, flamurin kuq e zi apo atë të UÇK-së në njërën dorë dhe timonin në tjetrën, ngjashëm me një skenar filmash ku mungojnë vetëm shpatat, kuajt e heroi legjendar!
Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë 😅
Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues.
Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit.
Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin.
Jeni të mirëpritur kurdoherë në Shqipëri, sidomos me këngët patriotike në sfond të automjeteve tuaja luksoze, por ama kursejini vetes refrenin e dobët të ‘emigrantit të ndershëm me biletë vetëm vajtje’.
P.S: Secili e shpreh patriotizmin sipas mënyrës së vet, por jam krenar që pa bujë e fanfarë, së bashku me kolegët e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ndër vite kemi kontribuar për më shumë siguri e rend për vendet tona, qytetarët e 🇦🇱 dhe 🇽🇰 duke ofruar kështu më shumë paqe e qëndrueshmëri në rajonin e Ballkanit Perëndimor