Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë të ditur se që në javën e parë të vitit 2023 është aprovuar Programi për Pagesa Direkte për bujqit dhe fermerët.

Peci, theksoi se është hera e parë që ky program lansohet që në fillim të vitit, kjo sipas tij falë vullnetit dhe angazhimit të Qeverisë së Kosovës.

Ai i ka dhënë edhe shifrat e pagesave direkte:

Gruri do të subvencionohet 474 euro për hektarë.

Misri 329 euro për hektarë.

Patatja 654 euro për hektarë.

Fasulja 654 euro për hektarë.

Ndërkaq Kultura Pemëtare 504 euro për hektarë.

Perimet në sipërfaqe të hapur 554 euro për hektarë, kurse të mbyllur 904 për hektarë.

Pagesa direkte për farën e grurit sipas Pecit, përveç plehërimit e naftës do të subvencionohet katër cent për kilogramë. Vlera e përkrahjes për farën e grurit do të jetë 614 euro.

Për herë të parë, sipas tij do të subvencionohet edhe kultura e gështenjës, subvencionimi do të jetë në vlerë prej 504 euro për hektarë.

Po ashtu, ministri Peci bëri të ditur se është rritur përkrahja për lulediellin, “si produkt strategjik për sigurimin e lëndës së parë për prodhimin e vajit ushqimor”.

Një hektarë me luledielli do të paguhet nga ministria 454 euro, duke përfshirë plehrimin dhe kompenzimin për akcizën e naftës.

Ministri po ashtu, bëri të ditur se do të vazhdojë mbulimi i vlerës së akcizës për naftën në vlerë prej 0.36 cent për litër, si dhe i subvencionimit të pjesshëm për plehrat artificiale në vlerë prej 150 euro për grurë dhe 100 për misrin, pataten, fasulen dhe monokulturën.

Ai theksoi se për subvencionimin e grurit është ulur pragu minimal nga dy hektarë sa ishte më parë në një hektar.

Ai u shpreh se do të subvencionohet me 50 euro shtesë edhe bujqësia organike sipërfaqet e së cilës janë në konvertim, kurse me nga 100 sipërfaqet e certifikuara.