Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka pezulluar menjëherë nga detyra Ministrin e Policisë, Senzo Mchunu, pas akuzave serioze se ai ka lidhje me krimin e organizuar dhe ka ndikuar në hetimet për vrasje politike dhe korrupsion.

Në një fjalim drejtuar kombit të dielën mbrëma, i transmetuar drejtpërdrejt në televizion, Ramaphosa tha se këto akuza “cenojnë Kushtetutën dhe paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare”. Për këtë arsye, ai njoftoi krijimin e një komisioni të pavarur gjyqësor që do të hetojë pretendimet në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Si ministër i përkohshëm i Policisë është emëruar profesori i njohur i drejtësisë, Firoz Cachalia.

Mchunu, 67 vjeç, është një figurë me ndikim brenda partisë në pushtet, Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), dhe shihej nga disa analistë si një kandidat potencial për udhëheqjen e partisë në zgjedhjet e vitit 2027.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se është “gati të përballet me to” dhe se e respekton vendimin e presidentit. “Nderi dhe integriteti janë vlera që i çmoj thellë dhe për të cilat duhet të angazhohemi të gjithë”, u shpreh Mchunu në një reagim zyrtar.

Akuzat ndaj tij u bënë publike javën e kaluar nga shefi i policisë provinciale në KwaZulu-Natal, Nhlanhla Mkhwanazi, i cili deklaroi se Mchunu kishte marrë mbështetje financiare nga një biznesmen i dyshuar për korrupsion, me qëllim që të financojë ambiciet e tij politike.

Presidenti Ramaphosa është përballur me presion të madh publik për të vepruar shpejt dhe vendimi për pezullimin e ministrit shihet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së besimit në institucionet e drejtësisë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta të pushtetit./BBC