Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, është pritur në një takim zyrtar në Vjenë nga ministri federal i Austrisë për Bujqësi, Pylltari, Klimë dhe Menaxhim të Ujërave, Norbert Totschnig.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e reformave në sektorin e bujqësisë, me fokus të veçantë procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe harmonizimin e politikave bujqësore me standardet e Bashkimit Evropian.
Dy ministrat shkëmbyen përvoja edhe për forcimin e sistemit të kontrollit zyrtar të ushqimit, zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtjes nga breshëri, digjitalizimin e bujqësisë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet instituteve bujqësore dhe institucioneve kërkimore të të dy vendeve.
Po ashtu, në takim u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional përmes shkëmbimit të ekspertëve, nëpunësve, studiuesve dhe studentëve, me synim forcimin e kapaciteteve profesionale, transferimin e njohurive dhe zbatimin e praktikave më të mira evropiane.
Ministri Muja falënderoi homologun e tij austriak për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve do të ndihmojë në modernizimin e sektorit të bujqësisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e përafrimit të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian.