Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati është denoncuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës nga komuna e Prishtinës nëpërmjet një kallëzimi penal lidhur me mosalokim të fondeve të kryeqytetit.
Në kallzimin penal që e ka siguruar Dukagjini, përfshihen edhe tre zyrtarë të tjerë, Sekretari i Përgjithshëm, Arton Ahmeti, drejtori i Departamentit për Buxhet, Salvador Elezi dhe u.d. të drejtorit të Thesarit, Nysret Koca.
Siç bëhet e ditur në kallëzimin penal, të katër zyrtarët e përmendur më lartë dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të kompetencave, për shkak të bllokimit të 35 milionë eurove të dedikuara për Komunën e Prishtinës.
“Personat e kallëzuar në cilësi të personave zyrtar përkatësisht si titulluar të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin ne fuqi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i shkaktojë dëm institucionit publik Komunës së Prishtinës duke mos bërë alokimin e mjeteve financiare për Komunën e Prishtinës në këtë mënyrë kundërligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik të qytetarëve të Kryeqytetit kanë bllokuar projektet e investimeve kapitale, subvencionet dhe mallrat dhe shërbimet, duke rrezikuar edhe shërbimet shëndetësore, shujtat e fëmijëve në institucione parashkollore dhe në mësim tërë ditorë si dhe dem financiar për shkak të tarifave të mijëra lëndëve të dërguara në përmbarim”, thuhet në kallëzim.

Mes tjerash, në këtë kallzim bëhet e ditur se buxheti i Komunës së Prishtinës është i përcaktuar me ligjet në fuqi dhe se i njëjti nuk është alokuar fare në Komunën e Prishtinës.
“Ky buxhet edhe pse i përcaktuar me ligj, nuk është në dispozicion të Komunës së Prishtinës, rrjedhimisht rreth 35 milionë Euro, në kategorinë e Investimve Kapitale nuk iu kanë alokuar fare Komunës së Prishtinës”, sipas kallëzimit.
Ky mosalokim sipas kallëzimi ka penguar zbatimin e projekteve kapitale, shërbimeve shëndetësore dhe subvencionimin e fermerëve.
“Këto veprime kanë cenuar autonominë financiare të komunës, kanë penguar përfitimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve nga shërbimet publike dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik, social dhe publik, duke përmbushur elementët e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar”, vijon kallëzimi.
Mes tjerash, në dokument nga Komuna e Prishtinës kërkohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të ndërmarrë një proces hetimor që të sqarohen të gjitha rrethanat e rastit.
“Për fund, me qëllim të vlerësimit dhe verifikimit të pretendimeve të paraqitura në këtë kallëzim, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës të ndërmarrë një proces hetimor të pavarur, profesional dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat e rastit dhe të konfirmohet përputhshmëria e veprimeve të personave të kallëzuar me ligjin”.

Kujtojmë se ministri në detyrë, Murati, të enjten deklaroi se zhbllokimi i buxhetit të Prishtinës bëhet përmes votimit të tij në Kuvendin e Kosovës.
Mes tjerash, ai i dërgoi porosi kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, që t’u bëjë thirrje deputetëve të LDK-së të votojnë buxhetin e kryeqytetit në Kuvend.
Kallëzimi i plotë: KËTU