Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, ka thënë se vendimi për njohjen e pasaportës së Kosovës nuk është rezultat i ndonjë negociate me partitë katalunase që po e përkrahin Qeverinë e Sanchez.

Siç shpjegoi ai, vendet që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, pra pesë vendet e BE-, e kanë njohur pasaportën e Kosovës, për qasje në zonën Shengen, siç është rënë dakord në mars në Këshillin Evropian.

Albares theksoi se kjo nuk nënkupton “aspak njohjen e Kosovës si shtet apo sovranitetit të saj”.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.

Por, vetëm më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.