Ministri Vitia: Në spitale ka mungesa në kushte bazike, vëmendja është te vështirësitë e furnizimit në kohë me barna
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën e 14 shkurtit, ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi, ku ka treguar për gjendjen në shëndetësi. Ministri Vitia ka njoftuar se kanë planifikuar ndërhyrje në dy drejtime themelore ku do të marrim masa dhe veprime, derisa ka theksuar se kanë një seri urgjencash, për të cilat, janë bërë […]
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën e 14 shkurtit, ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi, ku ka treguar për gjendjen në shëndetësi.
Ministri Vitia ka njoftuar se kanë planifikuar ndërhyrje në dy drejtime themelore ku do të marrim masa dhe veprime, derisa ka theksuar se kanë një seri urgjencash, për të cilat, janë bërë gati të veprojnë.
“Urgjencat prioritare dhe operative: sigurimi në sektorin publik i profesionistëve mjekësorë në fushat deficitare, zvogëlimi i listës së pritjes në nivelin terciar, ndërhyrjet emergjente në infrastrukturën spitalore dhe shtimin e një grupi të pajisjeve mjekësore brenda sektorit publik që ulin shpenzimet e pacientëve, vendosja e standardeve për procedurat e pranimit të pacientëve, kontrolli i sigurisë së barnave, përfshirë edhe kontrollin e tregut, hapja e konkursit të ri me standarde të reja për specializantët, lista esenciale e re barnave miratimi dhe furnizimi sipas saj, koordinimi sistematik me nivelin komunal dhe furnizimi të plotë të QKMF-ve e të tjerë”, ka thënë ministri.
Ministri i Shëndetësisë ka diskutuar edhe për masat e veprimet strategjike që do t’i ndërmarrin si Ministri.
“Masat dhe veprimet strategjike që do të ndërmarrim janë: përfundimi i ligjit për shëndetësi, përfshirë edhe reformën institucionale që buron nga ky ligj, miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore dhe reformimi i plotë i fondit të sigurimeve shëndetësore”, u shpreh ai.
Sa i përket mungesave në spitalet e vendit, ministri Vitia është shprehur i vetëdijshëm për këtë çështje.
“Jam i vetëdijshëm që ka shumë mungesa në kushtet bazike në spitalet tona, dhe për këtë, në pjesën më ta madhe të kohës, vëmendja është te trajnimi shëndetësor bazik dhe vështirësitë e furnizimit në kohë me barna dhe material shpenzues”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.
Ndërsa, ky ministër ka potencuar se do të jenë transparentë, sa i përket edhe shpenzimeve buxhetore.
“Masat e tjera janë ato që mund të quhen të domosdoshme, janë masat antikorrupsion. Procesi i shpenzimit të buxhetit dhe atij të prokurimit në MSH dhe SHSKUK do të kalojë në platformën e transparencës radikale. Ka nevojë që çdo shpenzim të shihet nga publiku. Buxheti është rritur dhe duhet të rritet edhe llogaridhënia”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.
Vitia bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti pritet të hapet edhe konkursi për specializime të reja në disa fusha të caktuara, në të cilat, është vërejtur që ka mungesa. Telegrafi















