Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), do të mbajë sot një konferencë për media ku do të prezantohen rezultatet e kontrolleve zyrtare të realizuara në sektorin e qumështit.
Konferenca është paraparë të mbahet më 4 gusht, duke filluar nga ora 10:00, në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Në fokus të prezantimit do të jenë gjetjet e raportit përfundimtar, si dhe hapat që institucionet planifikojnë të ndërmarrin për të garantuar standardet e sigurisë ushqimore.
Në njoftimin zyrtar thuhet se gjatë konferencës “do të prezantohen gjetjet e raportit përfundimtar dhe masat që do të ndërmerren në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe forcimit të sigurisë ushqimore”.
Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë ftuar përfaqësuesit e mediave që të marrin pjesë në këtë konferencë, ku pritet të jepen më shumë detaje mbi rezultatet e kontrolleve dhe veprimet që do të pasojnë në këtë sektor.
Rezultatet e raportit pritet të hedhin dritë mbi gjendjen aktuale në sektorin e qumështit, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar se do të bëjnë publike edhe masat që do të ndërmerren për mbrojtjen e konsumatorëve dhe rritjen e sigurisë së produkteve ushqimore në treg.