Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se sipërfaqja e drithërave të mbjella përgjatë gjysmës së parë të vitit 2022 është 33.04% më e lartë sesa vitin e kaluar, përkatësisht 91,436.11 hektarë sipas Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Sipas raportit të aplikimeve për Programin e Pagesave Direkte, Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se misri ka shënuar një rritje prej 90.93% të sipërfaqeve të mbjella, një total prej 36,901.66 hektarësh.

“Nga të dhënat që posedojmë deri më tani si Institucion, teksa procesi i korrje-shirjeve është në vazhdimësi dhe akoma nuk është finalizuar, vetëm me grurë janë rreth 66,159.52 ha të mbjella. Kjo shifër përfshin edhe sipërfaqet nën dy hektarë ndërsa mbi dy hektarë numri i sipërfaqeve të mbjella është 51,282.96 hektarë me një rritje prej 15.55% krahasuar me vitin e kaluar, ku sipërfaqet e mbjella me grurë mbi dy hektarë kanë qenë rreth 44,381.83 hektarë”, ka shkruar Ministria e Bujqësisë, në Facebook.

Ndër të tjera, ministria në fjalë ka thënë se bazuar në të dhënat e treguara, dhe koordinimin e vazhdueshëm me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, “nuk ka vend as për panik, as për shqetësim të kësaj natyre”.

MBPZHR-ja shkruan se nga terreni raportohet që rendimenti në shumicën e vendeve e tejkalon mesataren prej 4000 kilogramë për hektarë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022 (PPD) ka planifikuar mbi 50 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale.