Ministria e Financave i reagon Avokatit të Popullit: Verifikimi i adresës për shtesat e fëmijëve synon mbrojtjen e parasë publike, jo përjashtimin etnik
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit, i cili ka kritikuar procesin e verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë, duke e cilësuar si të pasaktë dhe të dëmshme për imazhin e shtetit të Kosovës. Sipas ministrisë, qëllimi i këtij verifikimi është që mbështetja financiare të […]
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit, i cili ka kritikuar procesin e verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë, duke e cilësuar si të pasaktë dhe të dëmshme për imazhin e shtetit të Kosovës.
Sipas ministrisë, qëllimi i këtij verifikimi është që mbështetja financiare të shkojë ekskluzivisht tek familjet që realisht jetojnë në Kosovë.
Ministria thekson se përkohësisht janë pezulluar pagesat për një numër të kufizuar përfituesish, deri në dorëzimin e dokumentacionit shtesë që konfirmon rezidencën.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) njofton qytetarët se deklarata e publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është e pasaktë dhe si pasojë e dëmton rëndë reputacionin e shtetit tonë.
Qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohemi se nga to përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur kështu paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon tek nënshtetasit rezidentë që jetojnë në Kosovë.
Për këtë arsye, MFPT ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre.
Përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve. Skema e shtesave për fëmijë që nga fillimi ka karakter gjithëpërfshirës dhe përfitues të saj janë mbi 400,000 fëmijë bazuar në kriteret themelore: moshën e fëmijëve dhe të qenit shtetas rezident i Kosovës”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Për më tepër, ministria sqaron se regjistrimi në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), që është kritikuar në deklaratën e Avokatit të Popullit, është një obligim ligjor për të gjithë qytetarët dhe nuk ka qëllim diskriminues. Ky regjistrim, sipas ministrisë, ndihmon edhe në planifikimin e politikave publike në përputhje me nevojat reale të qytetarëve.
“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë.
Vlen të theksohet se regjistrimi në ASK është një obligim ligjor për çdo qytetar rezident në Kosovë dhe nuk mund të konsiderohet diskriminues, aq më tepër nga një institucion tjetër shtetëror. Regjistrimi në ASK përveç se obligim ligjor, mundëson planifikimin më të mirë të politikave për të gjithë qytetarët pa dallim nacionalitetin e tyre.
Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë.
MFPT mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me institucionet relevante dhe të gjithë qytetarët, për të siguruar që shtetasit rezidentë vazhdojnë të përfitojnë nga skema universale e shtesave për fëmijë”, thuhet më tej në reagim.















