18 kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe atyre regjionale do t’i nënshkruaj së shpejti Ministria e Infrastrukturës me disa kompani.

15 kontrata do të bëhen për mirëmbajtje rutinë, derisa 3 të tjera për mirëmbajtje intensive.

E krejt këto përgatitje, sipas zëvendësministrit, Hysen Durmishi, po bëhen për tu përgatitur për stinën e dimrit.

“Ne si ministri kemi shpallur konkursin për tender për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale, për gjithë territorin e Kosovës për periudhën 3 vjeçare, dhe është në procedurë të prokurimit, ku gjatë kësaj jave do të shpallen edhe rezultatet e fitueseve. Kontratat do të nënshkruhen para fillimit të sezonës dimërore”, ka deklaruar Hysen Durmishi, Zëvendësministër i Infrastrukturës.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës

Numri dy i Ministrisë së Infrastrukturës, ka shtuar se vlera e kontratave për një vit do të jenë më rreth 9 milionë euro.

“Vlera do të jetë më e vogël sesa vitet e kaluara, pra për një vit  kontrata do të jetë rreth 8 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar është me e vogël, ku është paguar rreth 10 milionë euro”, ka thënë Hysen Durmishi, Zëvendësministër i Infrastrukturës.

Por deri tek operimi i kompanive duhet të bëhen disa testime. Kështu të paktën ka thënë njohësi i komunikacionit Bekim Ahmeti.

“Fillimisht duhet të behët një test nga kompanitë që kontraktohen nga Ministria për mirëmbajtjen e rrugëve, duhet të bëhet testimi i makinave sesi funksionin, dhe të behët edhe një kontroll nga Ministria e Infrastrukturës sesi është gjendja e makinerive dhe Ministria duhet të jetë më këmbëngulëse për të mos lëshuar pe asgjë, për të funksionuar mirë gjatë dimrit”, ka treguar Bekim Ahmeti, Njohës i komunikacionit.

Mirëmbajtja e rrugëve nacionale dhe regjionale hynë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës. Bora e rënë viteve të kaluara shpeshherë i ka zënë këto institucione të papërgatitura, për pastrimin e rrugëve.